Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pa hetimin dhe dënimin e atyre që bënë 21 Janarin nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri. “Nuk do ketë drejtësi në Shqipëri deri kur të gjykohet 21 Janari. Këtë di të them unë, pa u gjykuar 21 janari, drejtësia do jetë e gjymtuar moralisht dhe patjetër edhe e pamjaftueshme sa i përket fuqisë së saj.
21 janari dhe gjykimi i 21 janarit do vendosë një gur të palëvizshëm deri ku mund të shkojë ushtrimi i forcës represive të shtetit, si rezultat i abuzimit me të nga persona të veshur me pushtet. Për rastin konkret nuk kam asnjë koment”, shtoi Rama.
Po Lulzim Basha? “Lulzim Basha ka qenë ministër i Brendshëm është pa diskutim pjesë e zinxhirit komandues por unë nuk bëj as prokurorin dhe as gjykatësin, unë them atë që kam thënë prej ditës së parë, prej 12 vitesh, që 21 Janari është krim shtetëror dhe vendimi i Strasburgut është aq i qartë. Nëse drejtësia e re nuk merr përsipër 21 Janarin, të tjerat do të jenë si kafet e Nexhmije Hoxhës” tha ai.