Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho Kombëtarja shqiptare po kalon një ndër momentet më të mira në historinë e saj.
Një fushatë kualifikuese për në “Euro2024” e mbyllur në mënyrën më pozitive të mundshme, kreu i grupit dhe një vend në europian.
Për më tepër tekniku brazilian brenda pak kohësh ka njohur mjaftë mirë lojtarët e tij dhe karakteristikat e tyre, një grup i bashkuar, që përcjell një futboll ofensivë dhe të bukur.
Ndër të tjera aventura me Shqipërinë mund të vlerësohet si dhe pika më e lartë në karrierën e brazilianit si trajner, të paktën deri më tani.
Një sukses i cili nuk ka kaluar pa u vënë re dhe në arenën ndërkombëtare.
Nga IFFHS, Instituti i Historisë dhe Statistikave në Futboll, Sylvinho është vlerësuar mes 10 trajnerëve më të mirë në botë që drejtojnë ekipe përfaqësuese.
Trajneri i Shqipërisë mban vendin e 8-të, në një renditje e cila udhëhiqet nga emra të mëdhenj si Lionel Scaloni i Argjentinës, i ndjekur nga Deschamps dhe Roberto Martinez i Portugalisë.