“Tryeza shqiptare pavarësisht çmimeve do të jetë e bollshme me ushqim dhe e plotë. Familjet shqiptare preferojnë të kursen disi në ditët e zakonshme për të pasur një tryezë sa më të plotë dhe të mbushur për jetën e fundvitit”. Kështu u shpreh në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj-Kortoçi.
Ekspertja tha se viti që po mbyllet ka qenë ndër më të vështirët për familjet shqiptare. “Inflacioni ka vijuar që të jetë në nivele të larta dhe në familjet shqiptare ndihet dyfish pasi 40-45% të buxhetit të tyre e shpenzojnë për ushqime dhe çdo rritje çmimi ndihet fuqishëm.
Shto këtu rritjen e çmimeve, viti 2023 ka qenë një nga më të vështirat për shkak të çmimeve të larta dhe një mbështetje e pakët për shtresat në nevojë, si për pensionistët. Paketat e ndihmës kanë qenë të kufizuara” tha ajo.
Bonusi 5 mijë lekë për pensionistët, ekspertja tha se nuk është i mjaftueshëm për të blerë gjelin e detit. “Ndoshta nuk do të arrijnë dot ta blejnë një gjel të freskët, të gjallë, që ta përgatisin vetë, por mund të blejnë një gjel në dyqane vetëm për të respektuar pjesën e traditës”.
Viti i ri nis me taksa për profesionet e lira. Teuta Nunaj-Kortoçi u shpreh se kjo do të sjellë rritje çmimesh dhe në fund do të jetë konsumatori që realisht do të paguajë këtë taksë të re.
“Kjo shtresë mban konsumimin në një vend dhe kjo është më e goditura. Atyre u duhet dhënë kohë më tepër, jo në 2024, që të shëndoshnin financat e tyre për të pasur një qëndrueshmëri financiare. Kur paguan një tatim do të rrisësh koston dhe kostoja në fund kalon tek konsumatori dhe do të ketë rritje të çmimeve të tyre” tha ajo për “5Pyetjet.al”.