Në arrest shtëpie me vendim gjykata për dosjen “Partizani” dhe me militantët poshtë pallatit, Sali Berisha vijon postimet në rrjetet sociale këtë herë për vendosjen e taksës për profesionet e lira që u fut në fuqi në 1 Janar të këtij viti që sapo nisi. “Genocid nëpërmjet taksave të dëbimit” e cilëson Berisha.
“Të dashur miq, ky vit i ri nisi me një goditje të rëndë për 29 mijë shqiptarë që ushtrojnë profesione të lira. Kësaj shtrese, jetike për ekonominë e vendit, u është vendosur prej datës 1 Janar 2024, taksa e dëbimit nga Shqipëria” tha ai.
Berisha ka një thirrje për të gjithë profesionistët e lirë. “Taksimi i tyre me 15% dhe 23% është de facto një taksë dëbimi, pasi cili do që njeh një profesionistë nga këto fushë, e di se të ardhurat e shumicës së tyre janë në kufirin e mbijetesës. Prandaj ju bëj thirrje profesionistëve të lirë.
Të qëndrojnë për Shqipërinë. Mos të dorëzohen duke zgjedhur të largohen, ashtu siç synohet. Por të bashkohen në mosbindje civile duke refuzuar pagesën e kësaj takse. O SOT O KURRË! Për demokracinë. Për pluralizmin. Për shpëtimin e Shqipërisë” shkruan ai.