-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Visar Loci: Pazari i liberalizimit

Kryesoret

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara në korrik të vitit 2023, 57 për qind e kosovarëve nuk kanë mundësi të përballojnë një javë pushim, qoftë diku në bregdetin e Shqipërisë, qoftë diku në mal.

Tjetër, në një vend ku shtylla kryesore e ekonomisë është konsumi ditor – pra ku mendohet si të ngopet barku e ku ai konsum sipas të dhënave të Bankës Botërore ka rënë për shkak të inflacionit në dy vjetët e fundit – pra hamë më pak ose më keq – është luks vetëm të mendohet për turizmin siç parasheh liberalizimi

Tash që qytetarët e Kosovës kanë liberalizimin e vizave nga 1 janari, më kujtohet një skeç i para shumë vjetëve i Qumilit, kur ende tregtohej me dinarë.

Kishte dalë në pazarin e Gjakovës dhe pëlqeu një pulë për natën e Vitit të Ri, por assesi të goditej për çmimin.

Shitësi e mbante 30 dinarë pulën, e Qumili insistonte ta merrte për 27. Dhe pas shumë shtyrjesh e lutjesh, kalon një i njohshëm i Qumilit dhe i shitësit.

Qumili gëzohet dhe e lut atë të intervenojë te shitësi.

Më në fund bie pazari. Qumili e mori pulën me çmimin që deshi dhe ia zgjati 30 dinarë shitësit. Këtu shitësi u ngushtua pak, nuk kishte metelikë për t’ia kthyer kusur 3 dinarë. Dhe Qumili pa një, pa dy, i thotë mbaji.

“Unë e pata për të bërë pazar, jo për ta marrë më lirë pulën”, tha Qumili.

Në Evropë nuk mund të shkohet me pulë me vete. Evropa i ka pulat e veta. Dhe kushtojnë.

Kushtimisht, ky pazar dhe ky mosshfrytëzim i kusurit nga Qumili, më shtyn të mendoj se as qytetarët e Kosovës nuk do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë liberalizimin e vizave, edhe pse kanë “luftuar” gjatë për të, më shumë se Qumili në skeçin e tij.

Kanë pritur gjatë për diçka që u takon popujve të lirë, sa për inate të brendshme politike aq edhe për shkak të mospërfilljes si shoqëri nga Perëndimi.

Investimi, nëse llogaritet sa para janë derdhur nga qytetarët për t’i marrë vizat, është dhjetëra miliona euro. Sipas një hulumtimi të Grupit për Ballkanin, vetëm në tetë vjetët e fundit janë paguar 118 milionë euro nëpër kontot e ambasadave.

Qytetarët, jo se nuk duan të udhëtojnë, por pse nuk do të kenë mjete për t’i rënë rreth e rrotull Evropës.

Liberalizimi i vizave vlen vetëm për qëllime turizmi dhe kjo kushton, e kur bëhet fjalë për standardin e Kosovës kushton një “dreq e gjysmë”.

Paga mesatare në Kosovë për vitin 2022, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ishte pak mbi 500 euro, e pamjaftueshme për të mbajtur një familje 4-anëtarëshe. Kur thuhet mesatare, kjo nënkupton se shumica kanë paga më të ulëta e një pjesë fare e vogël, që udhëheqin biznese e mbajnë poste të larta, kanë të ardhura apo paga të mëdha. Fundja për këtë grup, vizat asnjëherë nuk kanë qenë problem. I kanë plotësuar kriteret për to në çdo moment.

Në fushatën e Qeverisë për informim të qytetarëve për liberalizimin, ndër të tjera, janë nënvizuar edhe kushtet që duhet plotësuar. Çdokush duhet të ketë 30 deri në 50 euro për një ditë jashtë vendit nëse dëshmohet se po shkoni te një familjar i juaji dhe 70 deri në 100 euro për ditë nëse keni rezervuar hotel. Kjo nënkupton se për një vizitë veç 3-ditëshe, nëse shtohet edhe bileta e avionit rreth 300-400 euro (me rritje pas liberalizimit), ju duhen 500 deri në 900 euro. Pra gati dy paga mesatare. Dhe kalkulimi është për një person, pa llogaritur partnerin apo fëmijët.

Thjesht, për shumicën e qytetarëve nuk e qet lapsi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara në korrik të vitit 2023, 57 për qind e kosovarëve nuk kanë mundësi të përballojnë një javë pushim, qoftë diku në bregdetin e Shqipërisë, qoftë në mal.

Tjetër, në një vend ku shtylla kryesore e ekonomisë është konsumi ditor – pra ku mendohet si të ngopet barku – e ku ai konsum sipas të dhënave të Bankës Botërore ka rënë për shkak të inflacionit në dy vjetët e fundit – pra hamë më pak ose më keq – është luks vetëm të mendohet për turizmin siç parasheh liberalizimi.

Në krejt këtë muhabet, më së lehti mund ta kenë ata që i kanë familjarët jashtë dhe ftohen për vizitë. Natyrisht, pos ndonjë kafeje, të mos paguajnë ndonjë gjë.

Ai që më së shumti i gëzohet liberalizimit është edhe grupi më i madh, dhe natyrisht edhe që synon ta keqpërdorë atë. Janë qytetarët që pikërisht për shkak të këtyre pagave të ulëta synojnë të dalin jashtë për të punuar në të zezën.

Sipas të dhënave të Sindikatës së Sektorit Privat, mbi 50 mijë punëtorë tashmë kanë paralajmëruar shefat e tyre se do të largohen nga puna pas 1 janarit. E kush e di sa mijëra të tjerë do ta bëjnë këtë paralajmërim në natën që do t’ia mbathin për Evropë. Se si do t’ia dalin, është e vështirë të thuhet, sidomos për atë pjesë të qytetarëve që nuk ia kanë dalë as në Kosovë.

Pavarësisht të gjithave, liberalizimi ka shumë të mira. Ato të mira do të reflektojnë edhe në Kosovë tek ata që duan të vazhdojnë jetën këtu. Shenja e parë e kësaj është shpallja e një kompanie, ku ndër të tjera të interesuarve për punë ua premton pagën e 13-të dhe 5 ditë pushimi për çift në Shqipëri. Çkaaa? Prit se ka ende. Një tjetër ua ka premtuar edhe pagën e 14-të.

Punëtorët, ata që do të mbesin këtu, nuk do të jenë të nënshtruar për të punuar pa ditë pushimi në javë e gjatë verës pa pushime, me orare të stërzgjatura dhe në fund shefi t’u thotë: “Unë po të mbaj”. Kjo kohë ka nisur të kalojë qysh kur është marrë vendimi për liberalizim e do të lihet në harresë më 2024-tën.

Ka edhe shumë të mira të tjera liberalizimi, gjithsesi. Më nuk do të ketë nevojë për caktim të terminëve, as pritje në rresht, as sigurim të një krahu me dokumente, as pagesa, e as nuk do të përballemi me atë punonjësen e sertë sikur të ishte ambasada e saj, teksa urdhëron: “Ulu, dhe telefonin në xhep”.

Pra ka shumë të mira dhe shpresoj që sa më shumë qytetarë të Kosovës ta shfrytëzojnë liberalizimin e vizave për turizëm, shumë më shumë se Qumili kusurin e tij për pulën.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit