Shkon në 55 numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Japoninë ditën e Vitit të Ri, me ekipet e shpëtimit që po përpiqen të arrijnë në zonat bregdetare sot, të martën, 2 janar, mes temperaturave të ngrira, ku dyshohet se shumë njerëz mund të jenë të bllokuar.
Në Suzu, një qytet me më shumë se 5,000 familje afër epiqendrës, 90 për qind e ndërtesave mund të jenë shkatërruar, sipas kryebashkiakut të tij, Masuhiro Izumiya. “Situata është katastrofike”, theksoi ai.
Tërmeti me magnitudë 7.6 goditi vendin të hënën pasdite, duke i detyruar njerëzit në bregun perëndimor të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në toka më të larta.
Rreth 200 pasgoditje janë regjistruar që nga tërmeti kryesor, sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, e cila paralajmëroi se pasgoditje të tjera të forta mund të godasin rajonin në ditët në vijim.
Një avion i rojes bregdetare që po udhëtonte për të ofruar ndihma në zonën e goditur u përplas me një avion komercial në aeroportin Haneda të Tokios duke vrarë pesë anëtarë. Të gjithë, 379 personat në bordin e avionit të Japan Airlines mbijetuan.