Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për arrest në burg pa afat për Erzen Breçanin dhe 3 personat e tjerë të arrestuar si rezultat i një operacioni të SPAK me dyshimet e përfshirjes në trafik ndërkombëtar droge, sigurim të kushteve për vrasje dhe pastrim parash.
Erzen Breçani, Dedan Gjoni shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6, Bujar Ajeti dhe Besmir Murati kërkuan nga gjyqtarja zbutje të masës së sigurisë. Kërkesa që u rrëzuan.
Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i Policisë së Tiranës, i tha gjykatës së nuk kishte shkelur ligjin dhe se ishte në qeli prej djalit. Referuar dosjes së SPAK, Gjoni ka siguruar kushtet për vrasjen e dy vëllezërve, ekzekutimi i të cilëve kërkohej nga Ismail Zeneli. Në këtë plan vrasje ishte përfshirë gjithashtu edhe Bujar Ajeti.
Bashkë me Muratin ata dyshohen gjithashtu edhe për trafik të lëndëve narkotike nga Amerika Latin drejt BE. Ndërkohë, për Breçanin, SPAK thotë se ka investuar para të cilat janë krijuar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut, kryer nga djali i tij, Eralb Breçani, si dhe ka përkrahur autor krimesh duke dhënë informacione.