Durrësi dhe jo vetëm u trondit nga ngjarja që ndodhi në ditën e dytë të Vitit të Ri ku nëna e katër fëmijëve, Bedrie Loka i dha fund jetës duke pirë fostoksinë. Por cilat ishin shkaqet që e çuan drejt këtij akti ekstrem? Fillimisht pista kryesore ishte Tik Toku dhe bullizimi që dyshohet se ishte ushtruar kundër saj.
Por sot policia arrestoi bashkëshortin duke e akuzuar se e ka kërcënuar se do ta vrasë me thikë para se t’i jepte fund jetës. Për të analizuar këtë situatë por edhe problemet e shoqërisë sonë zhvilluam një bisedë në Skype me psikologen Ardiola Bodinaku. Problemet e shoqërisë që listoi janë të shumta, por theksoi se është pro idesë që Tik Toku duhet të mbyllet.
“Është një rast që ka vuajtur për një kohë të gjatë depresionin. Situata e asaj tregon se në asnjë moment asaj askush nuk i është përgjigjur, shteti, familjarët, të afërmit, komuniteti dhe ka menduar se e vetmja zgjidhje për të shpëtuar është vetëvrasja. Kjo do të thotë se ka vuajtur në periudhë të vazhdueshme me muaj pa asnjë suport.
Janë shumë elementë që duhen parë dhe analizuar. U nis si shantazh nga rrjetet sociale, por nuk paska qenë vetëm kjo. Personi më i afërt, suporti i partnerit i ka munguar në këtë situatë. Nuk dua të aludoj për ngjarjen dhe nuk do të doja që fëmijët të lexonin hipotezat.
Por në mentalitetin tonë ne përpiqemi të gjykojmë jetën e të afërmve tanë duke u nisur nga mentaliteti dhe ne harrojmë tjetrin si ndihet, çfarë të ka shqetësuar dhe si po e përballon këtë? Kemi vështirësi për të folur për problemet tona. Shoqëria ndodhet në një depresion të madh të identifikuar në shoqërinë tonë sidomos në vitet e fundit pas pandemisë” tha ajo për “5Pyetjet.al”.