Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar strukturën e qeverisë. Ditën e sotme, Rama njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se ka krijuar një ministri të re, të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Drejtimin ia ka besuar drejtorit aktual të Drejtorisë së Transportit, Blendi Gonxhe. Me lëvizjen e re, sektori i ekonomisë i hiqet Ervin Metes që i ngelen vetëm financat, shkrihet ministria e Kulturës që drejtohej nga Elva Margariti dhe rikthehet inovacioni që në mandatin e parë e kishte Mirela Harito.
“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial.
Kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.
Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës. Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhja” shkruan Rama.