…I ftuar në një mbledhje të zgjeruar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, teksa u diskutua procesi i “shkrirjes” së strukturës së ish Akademisë së Studimeve Albanologjike në strukturën e Akademisë së Shkencave, një mori retrospektivash ia behën sakaq në mendjen time.
Nga kujtesat më të dhimbshme që pata asoherë si njeri që kam punuar një jetë të tërë në njësitë e saj shkencore e jam pensionuar aty, ka qenë reforma e vitit 2007.
Sot jemi në një tjetër reformë. Po ku është dallimi? Duket menjëherë ku. Është ruajtja e strukturës së hershme të saj, pa e cenuar. Pra ka gjithsesi një kujdes, një vëmendje, duke ruajtur sa vijimësinë e fushave studimore aq dhe personelin. Punonjësit nuk janë të tmerruar se po humbin vendet e punës, si në vitin 2007. Ky ndryshim është paralajmëruar më herët. Ka mendime të ndryshme, por peshorja anon, me sa duket, nga ky bashkim.
Unë e vlerësoj mënyrën se si po bëhet ky bashkim, më së pari për gjithë ata punonjës që sa herë flitej për “reformë”, menjëherë u futej frika në bark dhe lindte një panik i madh kush e kush të ruante vendin e punës. Kjo përkthehet me pasionin e tyre, më së pari, pastaj dhe me mbijetesën. Në këtë mbledhje të kryesuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ku qenë disa nga profesorët e nderuar të studimeve albanologjike si Paskal Milo, Marenglen Verli, Valter Memisha, Adem Bonguri, Neki Frashëri, Afërdita Onuzi, anëtarët e kryesisë Shaban Sinani, Vaso Tole etj., paçka se ishin ata që shqyrtuan dosjet e çdo instituti dhe të çdo punonjësi, nuk kishin në dorë “thika dhe hanxharë”. Kishin ardhur me zemër, jo vetullngrysur për të prerë me një majë lapsi trupat e njësive shkencore albanologjike. Jo! Dhe e para gjë që dua ta them është pikërisht qasja humane e kësaj reforme, përgjegjësia për të ruajtur strukturat, organikat, vizioni për të shquar identitetet dhe specifikat e gjithë njësive akademike që vijnë nga Akademia e Studimeve Albanologjike. Duket si pa rëndësi, por them se kjo është nga më thelbësoret për ata që punojnë në ato institute.
Kujtoj se si një mori hanxharësh ranë mbi trupat e brishtë të instituteve albanologjike në reformën e vitit 2007. Ata hanxharë prej njerëzish cinikë, mburravecë dhe të pamëshirshëm prenë pa mëshirë gjymtyrë jetike të instituteve të dikurshme, të cilët qenë me 30, 40 e 60 punonjës secili. Gjithë ç’qenë trashëguar me mundim u katandisën të gjithë së toku diku te 120 punonjës nga afërsisht 500 që ishin dikur. Reformë mund ta quash këtë? Boh! Ishte një thertore, jo reformë. Thertore e denjë për ata që nuk e donin shkencën shqiptare, veçmas albanologjinë. Që hiqeshin si moderatorë, por s’qenë veçse ca snobë e cinikë, që talleshin me ndjeshmëritë dhe aspiratat shkencore të të tjerëve. Asohere unë isha drejtor i Qendrës së Studimeve të Artit, e cila u shkri me tërësej dhe nga 12 punonjës u katandis në katër, ndërsa vetë ky institucion u përfshi në amalgamën “Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit”. Më kanë mbetur në sy fytyrat e shqetësuara të punonjësve që u shkurtuan, njëri syresh madje, studiues i talentuar i muzikës (sot nuk jeton më, ndjesë pastë!), më lutej me lot në sy t’i telefonoja një prej “reformatorëve”, që u bë më pas ministër, Myqerrem Tafait, se medemek ai i pat premtuar që do të rrinte aty dhe dërci-vërci… Gënjeshtra të gjitha. Ne vetë atëherë, edhe pse ishim profesorë, u detyruam të përmbushnim ca formularë pasi do të “rekrutoheshim” si punonjës të rinj shkencorë të një institucioni tjetër, që u quajt Qendra e Studimeve Albanologjike. Pra, nuk do të ishim më ata që kishim qenë, por të “tjerë”. Eh, me këto hile të njohura pushtetarësh për të përligjur shkurtimet dhe shmangien nga revokimet gjyqësore, nuk ia hiqnin dot lotët atij burri, me fëmijë të porsalindur, që më lutej e përgjërohej mua ta mbaja në punë. Por unë s’kisha veçse çelsat e kashtës. Natyrisht një reformë, kur lipset, ka dhe shkurtime, riorganizime, por në studimet e botës shqiptare (apo albanologji siç quhet), ç’dreq shkurtimesh duheshin bërë?! Ajo ishte katandisur kokoshi një thelë, thoshte fjala. Thelbi ishte një dhe vetëm një: shkurtimi i organikave. Pastaj, për t’i paraqitur gërshërët e ndryshkuara për qethjen e kopesë së “deleve të bindura” si bisturi kirurgjikale për operime lezionesh të infektuara, shpiket fjala marramendëse “reformë”. Boll më me shkurtime. Plotësime, po, duhen bërë nëse ky shtet do që këtij populli të vogël e të vonuar në histori t’i qitësh në dritë ndoca visare identitare që ka e me të cilat vetëshprehet: arkeologjinë, gjuhën, historinë, antropologjinë, letërsinë, artet, gjeografinë, mendimin politik, mobilitetin e strukturës sociale etj!
Qendra e Studimeve të Artit dhe Instituti i Kulturës Popullore ishin dy identitete krejt të veçanta që u vunë në thertoren e 2007-ës, dhe nga barku i tyre lindi një hibrid. Rithemelimi së fundmi i kësaj Qendre të Studimit të Artit si njësi më vete, brenda strukturës së Akademisë së shkencave, është rivënia në vend e një të drejte të cenuar nga mendimi opak i asaj kohe dhe i atyre njerëzve, që e kryen atë kinse reformë. Arti ka qenë dhe mbetet një nga pushtetet e mëdha të mendjes dhe shpirtit, një nga kënaqësitë dhe përkëdhelitë estetike më të rafinuara, sikundër, po ashtu, mbetet një nga shenjat mëvetësuese të talentit dhe shpirtit kombëtar, filigrana e vetë këtij shpirti. Arti është më tutje se kaq. Është një katedër e madhe e përpunimit të situatave më të thella psikike të njeriut, të shoqërisë shqiptare dhe gjerazi të popullit, kombit, duke pasur ngaherë një impakt të fortë publik për vetë natyrën e tij të ekspozimit dhe perceptimit. Nga këto arsye dhe të tjera, unë u gëzova sinqerisht që, më në fund, fitoi një vizion realist, dobiprurës; u gëzova që së shpejti do të ringrihet kjo Qendër e Studimit të Arteve. Dhe këtu dora e përzgjedhjes së studiuesve të rinj duhet të jetë e rreptë, sepse për dreq në kësi rastesh dikush thotë “ma fut në punë këtë” e dikush “fut atë”; se ky është djali i atij, vajza e këtij, dhe ja ku shtojmë thjesht ca njerëz që veçse pinë kafe e bëjnë llogje.
…Me kaq e mbylla merakun tim si studiues i arteve. Tani disa mendime të miat, ngacmuar nga kjo mbledhje. Shkrirja që po bëhet, apo siç njëri e tha me humor, “martesa” midis dy akademive, do të kërkonte kujdesin e një mamie. Kur them mamie, metaforën do ta dekriptoja më së pari te lindja e këtij statusi të ri, mëpastaj te “torta” që i përket nga buxheti njësive shkencore albanologjike. Qysh kur u krijua Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 1972, nordi i saj qenë studimet albanologjike. Raketa nuk bëhen dot, as hidrocentrale. Mund të jemi thjesht aplikantë. Por në studimet albanologjike mund dhe duhet të jemi të mëvetshëm duke i dhënë tonin. Vetëm kështu kjo Akademi mund të funksionojë në një shtet e popull të vogël si i yni, i cili ka nevojë të dëshmojë vetveten para të tjerëve, që shpesh kanë qenë edhe grabitqarë të vlerave tona. Dhe një synim i tillë brendësohet në mënyrë integrale pikërisht nga studimet arkeologjike, historike, gjuhësore, letrare, antropologjike, kulturës dhe artit etj. Tri projektet e mëdha kombëtare: Enciklopedia e Shqipërisë me 10 vëllime (që ka zënë udhën e mbarë), Fjalori i Gjuhës Shqipe dhe Historia e Shqipërisë, të financuara nga qeveria, janë një “thelë” dhe “sofër” e madhe ushqimesh që ose të mbyt, ose të përtërin. Besoj se të tri këta projekte do t’i japin njësive albanologjike dhe gjithë studiuesve një synim të mbrothët apo, me pak humor, një drekë të pasur. Dhe meqë jemi te projektet, shpirti përtëritës i mendimit akademik janë botimet, librat. E dyta, identifikimi, plotësimi dhe ardhmëria e njësive studimore brenda instituteve, departamenteve etj. Një mendim të vyer solli në diskutimin e tij, bie fjala, studiuesi i njohur Paskal Milo nëse duhet, për shembull, të ristrukturohet njësia studimore e historisë së antikitetit të vonë, të cilën e ka Instituti i Arkeologjisë. A mund të zhvendoset ajo te Instituti i Historisë? Është një çështje që ha diskutim. Me dijen time të kufizuar, unë gjykoj se kjo fushë studimore duhet t’i shkojë historisë, çka kërkon hulumtime serioze dhe mbështetje financiare me studiues të rinj, të cilët njohin gjuhët e vjetra (greqishten e vjetër, latinishten etj.). Sa pak e njohim këtë periudhë, kredhur në nebulozat e padijes sonë, por që mund të rrinë strukur nëpër arkivat e Vatikanit, Venecies, Kostandinopolit. Natyrisht po kjo periudhë mund të studjohet fare mirë edhe nga arkeologjia, veçse ndryshojnë optikat: nëse arkeologjia studion kulturën materiale të kësaj epoke me gjithë zbulimet dhe interpretimet e brendashkruara, historia rrëmon te ngjarjet, proceset politike shoqërore, personalitetet, format shtetërore, luftërat, dokumentet etj. Më në fund ka ardhur koha që sytë e historisë të drejtohen te kjo periudhë, për të konfirmuar në vijimësi a, ndoshta, në themeli, gjenezat dhe formësimet tona etno-kombëtare. Ose ideja tjetër, po për historinë, për një identifikim më të qartë të objektit studimor, që do të ingranonte më mirë departamentin e studimeve të mesjetës, Rilindjes Kombëtare (si periudhë më vete) dhe historisë së pasthemelimit të shtetit shqiptar, çka kërkon një identitet më të qartë kohor.
I një kahu të ngjashëm ishte, për shembull, edhe një mendim i hershëm që është vërtitur përherë mes nesh: a duhet që studimet letrare të jenë njësi e Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë apo të dalin më vete ose, mbase, të bashkohen me artet dhe të krijojnë një institut më vete. Unë kam qenë dhe mbetem i idesë se letërsia dhe artet janë në përbashkësi dhe harmoni njëra me tjetrën, para së gjithash sepse specifika e tyre është e përbashkët: estetike. Nga ana tjetër, letërsia është bërë dhe bëhet përherë ushqim i shumë arteve: teatri ka dramën dhe komedinë, kinematografia ka skenarin (herë origjinal, më shumë i huajtur nga letërsia, romanet, tregimet), muzika dhe koreografia kanë poezinë, libretin (opera, kënga, kantata, baleti). Letërsia është më pranë arteve sesa pranë gjuhës. Gjuha është po njësoj e rëndësishme edhe për letërsinë edhe për historinë, publicistikën, shkencën, arsimin, aktet juridike administrative etj. Ndofta gaboj, por shkrimet e hershme biblike nga “Meshari” i Buzukut e këndej, le ta quajmë “letërsia biblike” falë të cilës qëndrohet fort si njësi ndërvepruese unikale mes gjuhës dhe letërsisë, sot më duket e kapërcyer, paçka se më parë ky njësim shënjonte nevojën dhe argumentin e fillesave tona albanologjike. Letërsia është fiction, ka trillin dhe sendërgjimin, sikundër prodhimin e kënaqësisë estetike. Pra, diçka e lidhur thelbësisht me gjithë artet, jo me narrativën fetare; ka edhe objektin e përbashkët si dukuri estetike, edhe ndërkomunikimet gjinore siç përmendëm më sipër. Shkurt, mendimet që do të rrihen nesër në dobi të ndërlidhjes, përplotësimit dhe funksionalitetit të njësive studimore albanologjike duke barabitur fusha, objekte, periudha të ndryshme, do të sjellin gjësende të reja e të frytshme. Ose, në institute të tilla si ai i Antropologjisë Kulturore, specifike e të jashtëzakonshme janë arkivat e vlerave të kulturës shqiptare, ku është sublimuar vetjakësia jonë shpirtërore, zakonore, kulturore, artistike, mjedisore, shkurt “fryma” e kombit. Mua më duket se këtu duhet ngulur këmbë edhe më shumë në pasurimet e atij fondi të madh në veshje, folklor muzikor, gojor, koreografik, doke e zakone, stoli, zbukurime etj, si dhe lëvizjen në një rrafsh të gjerë antropologjik të mendësisë së popullit e konkretizuar në hapësira historike, te njësitë krahinore, gjer dhe në zona të ngushta. Afërmendsh se duhen qëmtime e studime se si ka ndryshuar kjo kulturë nga shekulli në shekull; ndryshe vishej dikur një fshatar me tirqe a qillota, ndryshe sot me blu xhinse e stof; një herë kishte një kalë, tenxhere bakri dhe vatër zjarri, sot ka makinë, tenxhere e sobë elektrike etj; dikur një kasolle a shtëpi me vatër zjarri në mes, sot apartamente dhe vila. Ndryshojnë rrënjësisht kushtet e banesës, ndryshon mjedisi nga ai rural në atë urban dhe metropolitan etj. Pra, edhe këtë evoluim duhet ta studiojmë, por mos të harrojmë objektin kryesor të këtij instituti: hershmërinë, pjesën tashmë të “ngrirë”, sigurisht duke freskuar optikat e studimeve të pritshme.
Dhe siç preka vetëm pak gjëra dhe pjesërisht, do të duhet që në këtë shkrirje të njësive studimore të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Akademinë e Shkencave, në periudhën 8 mujore që pason, të shprehen e marrin jetë ide, vizione e mendime të vyera që, shpresoj, të sjellin produkte të mirëpritura.