Ajri i ndotur akuzohet si shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme në Shqipëri, por institucionet përgjegjëse dështojnë prej vitesh që të kryejnë monitorime të sakta dhe të besueshme si dhe të informojnë publikun për ndikimin në shëndetin publik.
Ajri i ndotur është një vrasës i padukshëm i shëndetit tonë. Agjencia Europiane e Mjedisit vlerëson se ndotja e ajrit shkaktoi vdekjen e parakohshme të mbi 5 mijë qytetarëve shqiptarë në një analizë për vitet 2017-2021. Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë apelon ulje të nivelit të ndotjes për të reduktuar goditjet në tru, sëmundjet e zemrës apo kancerin e mushkërive.
Ndotësit kryesorë të ajrit janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, oksidet e azotit, NOx, monoksidi i karbonit, CO dhe dioksidi i squfurit, SO2.
“Grimcat PM 10 dhe 2.5 duhet të maten, pasi lidhen direkt me dëmtimin e dy organeve jetike, mushkëria dhe sistemi i qarkullimit të gjakut,” thotë Mihallaq Qirjo, drejtor i organizatës mjedisore REC Albania. “Edhe gazrat e tjerë janë si një trup i huaj që shkakton dëme direkte të shëndetit,” shtoi ai.
Shqipëria detyrohet nga direktiva 2008/50 EC e Bashkimit Europian dhe legjislacioni i brendshëm që të monitorojë cilësinë e ajrit si dhe ndikimin e ndotjes në shëndetin e popullatës. Për më shumë lexo këtu
/BIRN