Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, ku shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet në programin bërthamor të Teheranit dhe tensionet në rritje me Izraelin.
Në një mesazh në platformën X, Macron theksoi se Irani “nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore” dhe shtoi se Franca së bashku me partnerët evropianë do të përshpejtojë përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
“Jam i bindur se ka rrugëdalje nga lufta. Për ta arritur këtë, do të intensifikojmë negociatat me Iranin,” tha Macron, ndërsa konflikti mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e nëntë.
Gjatë bisedës, presidenti francez kërkoi gjithashtu lirimin e Cécile Kohler dhe Jacques Paris, dy shtetasve francezë të ndaluar në Iran që nga viti 2022 me akuza për spiunazh.
Kjo deklaratë vjen një ditë pas njoftimit të Izraelit për goditjen e një centrali bërthamor në Isfahan dhe eliminimin e tre komandantëve të Gardës Revolucionare të Iranit.