Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me kapacitete ushtarake – që ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar – po zhvillohet sipas planifikimeve, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.
Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky proces tashmë është në fazën e dytë të realizimit të planit gjithëpërfshirës. Kjo fazë që, sipas saj, është përmbushur rreth 85 për qind, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
“Kjo fazë parasheh ngritjen e kapaciteteve luftarake. Gjatë këtyre dy vjetëve, përqendrimi është më shumë në investime në sisteme moderne të armatimit… siç është publikuar tashmë kërkesa e Kosovës për të blerë raketa Javelin. Por, ky nuk është i vetmi sistem që kemi në plan për të blerë”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar më 11 janar se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë 246 raketa Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon ta mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.
Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet, deri në vitin 2028./ REL