-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Nga “Nikolino” te Olldashi, Berisha ka përgjime për të gjithë

Kryesoret

Ka qenë një kohë, kur me urdhër të ish presidentit Berisha, pas propozimit të Gazidedes, gjurmoheshin dhe përgjoheshin të gjithë strukturat më të larta drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aso kohe, në fillimet e vitit 1993, kur lëvizja çlirimtare vendosi të ngrejë në Tiranë njërën nga qendrat e saj më të rëndësishme, askush nuk kishte telefonë celularë, sepse ende nuk ishin në përdorim, por, përballë ‘Dajtit’, në afërsi të një lokali me emrin “Nikolino”, me shpejtësi të habitshme shteti instaloi dy kabina telefonike, dhe, duke e ditur se në lokalet aty pranë ishin edhe disa qendra ku mblidheshin shqiptarët e Kosovës, vendosi nën përgjim dy kabinat.

Dhe nga ky përgjim dhe naiviteti i besimit të plotë tek fjalët që thuheshin për kombin e Kosovën, e pësuan aq shumë vetë. Përgjimet e këtyre viteve, jo vetëm në këto dy kabina, por edhe më tej se kaq, çuan në hartimin e listave të ilegalëve që ishin të padëshiruar për të qëndruar në Shqipëri, në ndjekjen e atyre që ishin aty, dhe më tej, në hartimin e përbashkët të një liste në trekëndëshin Shërbimi informativ shqiptar, shërbimi informativ i LDK-së dhe shërbimi informativ serb.

Shërbimi informativ shqiptar, në bashkëpunim me shërbimin informativ të LDK-së, njëri ndër filialet e shërbimit të fshehtë serb që kishte dërguar aty Ramë M., me lejen e shtetit shqiptar, vendosën nën përgjim të gjitha veprimet e lëvizjes ilegale çlirimtare. Si shkrova më sipër, në kabinat e vendosura përballë lokalit “Nikolino”, pronarët e të cilit kishin lidhje me rezistencën dhe i shërbyen asaj, shërbimi i fshehtë ngriti edhe një lokal tjetër, me emrin “Kumanova”, ku kishin dërguar një njeri të tyre, që po ashtu kishte lidhje me shërbimin informativ shqiptar. Kjo si duket, atyre nuk iu duk e mjaftueshme, atëherë ngritën edhe një bazë të përbashkët përgjimi në restorantin “Prizreni”, dhe ishte kështu një rrethrrethim përmes kabinave telefonike dhe lokaleve.

Pa asnjë dyshim, në këto qendra përgjimi, ka kaluar mjaft informacion i vyer për shërbimin e fshehtë serb dhe, në vitet që erdhën, u dëshmua se cilët kishin qenë të involvuarit, megjithëse edhe atëherë nuk i treguan të gjitha.

E solla këtë shembull që në krye të herës, pasi në të gjithë metodën e pas-pluralizmit shqiptar, jo vetëm nga njëra forcë politike, përgjimi ka qenë një “armë e dashur”. Në PD ajo ka filluar menjëherë pas krijimit të dyshimeve të para për zgjedhjen ose jo të shefit të ardhshëm të partisë së sapokrijuar dhe në të cilën, jo rastësisht vërshuan tre lloj njerëzish në një shumicë të ndjeshme: ish-komunistë fanatikë, bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit shqiptar dhe ish-të dënuar si bashkëpunëtorë të Sigurimit të fshehtë serb apo grek. Këta u bënë edhe dominuesit e kësaj force politike dhe, bashkë me të zezat e tjera, sollën edhe këtë “përvojë”, të mbledhura së bashku në një linjë paralele; përgjimi dhe krijimi i dosjeve të reja.

Tashmë bota është nën mijëra sy që të vëzhgojnë mrekullisht shpejt. Bota nuk është më e mbyllur. Por, pas marsit të vitit 1992, përgjimi nga ana e shtetit, tashmë i demokratizuar, u bë gjëja më pasionante e presidentit në detyrë. I rrethuar nga paranoja dhe e djeshmja, i mrekulluar me faktin se fjala e tij ishte më e zbatueshme se edhe vetë fjala e Hoxhës, i befasuar se si një njeri mund të ketë, edhe në pluralizëm, aq shumë forcë politike, njerëzore e financiare, dhe i tronditur nga mendimi se e gjitha kjo mund të ishte vetëm një përkohshmëri, Berisha krijoi falangën e tij, një falangë përgjimi, e pajisur shumë shpejt, e rrethuar me njerëz besnikë të tij, shumica veriorë që për hir të tij ishin të gatshëm të bënin hatanë, si dëshmon tashmë sinqerisht Izet Haxhia, të fuqishëm në llojin e tyre, si ishte dhe është psh Kuliqi. Duke e ditur pasionin e shefit për një hapësirë kontrolli  mbi jetën vetjake të bashkëpunëtorëve të tij; ata e bënë këtë me vrull, besnikërisht dhe egërsisht.

Krijimi i dosjeve, përmes përgjimeve, i ka dhënë Berishës të gjithë mundësinë e shantazhit, një shantazh që përfshin njerëzit e tij të afërt, rrethin pak më të largët politik, botën e financës, të drejtësisë dhe në fund, por jo e fundit, të kundërshtarëve politikë. Në sitën e tij mund të gjesh të gjithë emrat e atyre që ishin pjesë e politikës përballë tij, sidomos Nano, Pëllumbi, Dokle, Ruçi; por edhe e atyre që ishin në krahun e tij, si Selami, Shehu, Çela, Shehi, Kopliku, të cilët, pa dhimbje dhe shpejt e shpejt i eliminoi nga politika dhe, në shumë raste duke përdorur pjesë të jetës së tyre private.

Është e vërtetë se Berisha ka skedat e tij të dosjeve për secilin njeri që e ka parë të arsyeshme, por edhe sajesat që mund të përdorë për secilin njeri kundërshtar, qoftë kundërshtar të djeshëm apo të nesërm. Ai për shembull, në përgjimet e tij të shumta ka edhe bisedën e Delijorgjit me Zenin e tij, kur ende shpërthimet dëgjoheshin në Gërdec dhe askush nuk mund t’ja zbardhë, sepse ishin përgjimet e njerëzve të tij privatë. Ai ka në përgjimet e tij edhe bisedat e bëra në 21 janar, urdhrat që ka dhënë, kujt ia ka dhënë, çfarë kanë thënë të tjerët, rreth e rrotull tij, si ka vepruar Luli i Bashajve, çfarë ka thënë ai dhe një ditë ia zbardh aq sa është e duhura për të. Ai ka bisedat me Olldashin dhe si e mori ky i fundit përsipër “lajmin” bombë të sulmeve mbi godinën qeveritare. Ai ka të gjitha ata që i duhen, dhe kur mendon se është koha, i nxjerr për aq sa i duhet.

E njëjta vijë që ka ndjekur Koçi Xoxe, kur i thoshte nako Spirut, “ti fol, po deshe, por ne të nxjerrim letrën që ke shkruar tek jugosllavët kundër Enverit, i nxjerrim edhe fjalët që ke thënë në Plenumin e Beratit dhe ti e di se si shkon kjo gjë”.

Janë me dhjetra, brenda PD-së, që do të kishin dashur të kishin një zë të tyre, qoftë edhe nën presionin e përgjimeve, por të sakatosur në jetën e tyre, pjesë e botës së errët financiare e politike, e dinë se nuk mund të bëjnë hajër, për deri sa Berisha ka ende përgjimet e dosjet e tyre. Këtë ai e ka bërë me pasionin më të madh të mundshëm, dhe vazhdon të jetë njëri nga pasionet e tij. Nga kjo nuk e shkëput askush dhe, kur gjërat afrohen përditë e më shumë drejt një shkatërrimi të perandorisë së të keqes që ka krijuar vetë ai, atëherë bëhet edhe më agresiv, mendja e tij djallëzore punon më fuqishëm dhe degët ku kapet janë më të shumta.

Duke qenë njëkohësisht shembulli më i turpshëm se si një njeri humb kodin e tij të nderit, duke shëmtuar kodin e të tjerëve.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit