Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ndodhet në Prishtinë. Pas takimit me ministren Gërvalla dolën në një konferencë për mediat. Shefi i diplomacisë shqiptare tha se i janë paraqitur fakte mbi sulmin në Banjskë dhe autorët. Nuk foli me detaje por kërkoi që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë, po e ndjekim me shumë vëmendje situatën dhe na janë paraqitur fakte të cilat presim që të bëhen publike.
Kjo do të thotë se Shqipëria, jo vetëm e ka në fokus atë që ka ndodhur në 24 shtator në veri të Kosovës, por vazhdon që të kërkojë nxjerrjen përpara përgjegjësisë të të gjithë personave të implikuar, të përfshirë drejtpërdrejtë, apo orkestruesit” tha ai.
Komentoi edhe kërcënimet e Serbisë me ushtri në kufi. “Askush nuk duhet ta vazhdojë më këtë lojën që është qesharake. Garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku është Shqipëria është pjesë.
Vizita ime është për të dakodruar për veprimet mes Tiranës dhe Prishtinës këtë vit që është i rëndësishëm jo vetëm për faktorin shqiptar, por edhe SHBA dhe BE ku ka zgjedhje dhe këto momente nuk duhet t’i humbasim” tha ai.
Hasani në Kosovë: Sulmi në Banjskë akt terrorist, Shqipëria e ka dënuar ashpër