Autoriteti i Konkurrencës deklaroi sot se ka hapur një hetim të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit, djathit dhe gjalpit.
Institucioni njofton se Komisioni i Konkurrencës, “në mbledhjen e tij më datë 29.12.2023, mori në shqyrtim procedurën hetimore ndaj ndërmarrjeve Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit (djathë dhe gjalpë).
Duke iu referuar analizës së tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit, rezulton se sjellja e ndërmarrjeve me pjesë të konsiderueshme tregu, Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK, mund të përbëjë abuzim me pozitë dominuese, sipas nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj këtyre katër ndërmarrjeve në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 – 31 dhjetor 2023”.