Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar pas përplasjes që ndodhi ditën e sotme mes Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës me Flutura Açkën në Komisionin e Medias.
Nikolla ka përkrahur kryetaren e Komisionit, ndërsa thekson se sipas saj dy deputetët demokratë ushtruan dhunë ndaj një femre.
Kryeparlamentarja thekson se ky sulm i paprecedentë ndaj një zonje deputete të Kuvendit të Shqipërisë, është shumë më tepër se shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe e etikës së sjelljes së deputetit.
Reagimi i Nikollës
Dënoj ashpërsisht ngjarjen shumë të rëndë që ndodhi sot në Komisionin e Medias të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, jo vetëm penguan me dhunë zhvillimin e mbledhjes së Komisionit, por fyen rëndë Kryetaren e Komisionit, deputeten e nderuar Flutura Açka.
Ky sulm i paprecendent ndaj një zonje deputete të Kuvendit të Shqipërisë, është shumë më tepër se shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe e etikës së sjelljes së deputetit.
Në një kohë kur Kuvendi është duke punuar për ashpërsimin e legjislacionit kundër dhunës ndaj grave, në mjediset e tij, në një sallë mbledhjesh ku duhet të zhvillohet debat për ligjet dhe prej nga duhet të rrezatohet edukatë dhe qytetari, në sy të kolegëve, medias dhe gjithë qytetarëve, dy deputetë ushtrojnë dhunë ndaj një kolegeje të tyre, deputete dhe Kryetare Komisioni. Dhuna e ushtruar prej deputetëve Bardhi dhe Noka i kaloi caqet e dhunës verbale, dhe për këtë flasin pamjet e transmetuara nga media.