Sociologu i njohur Gëzim Tushi në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” nisur nga rasti i fundit i zbulimit në Tiranë të mjekut Dervish Hasi me katër gra, ku mes tyre shfrytëzonte edhe një vajzë 16-vjeçe, shprehet se shoqëria është shthurur.
“Shoqëria shqiptare është futur me një hulli të shfaqjes së incestit, pedofilisë dhe formave të tjera që po dëshmojnë që sistemi i jetës seksuale në Shqipëri ka pësuar tronditje.
Një shoqëri që të ekzistojë ka nevojë që të ketë sisteme të konsoliduara. Rasti i mjekut dhe shfaqjet e tij të marrëdhënieve me shumë gra dhe abuzimit me një minorene është një sinjal që duhet vlerësuar që lidhet jo vetëm me një person, por me institucionet e tjera të shoqërisë, dobësitë e familjes, ka të bëjë edhe me shkollën, me median dhe shoqërinë.
Ne jemi një moment kur shthurja e sistemit të jetës seksuale në jetën shoqërore shqiptare është bërë problematike. Rritja e krimit seksual tregon se duhet ta vlerësojmë më shumë situatën”.
Por si arriti të fshihet ky njeri nën petkun e mjekut dhe besimtarit? “Jo gjithnjë pozita sociale e njeriut, që është mjek, klerik apo politikan nuk është e mjaftueshme që të themi se është i garantuar nga perversionet seksuale. Prapa një njeriu profesionist, me karrierë të suksesshme brenda tij herë pas here fshihet edhe krimineli” tha ai.
Në fund, Tushi ka një apel për të gjithë prindërit. “Duhet të mbrojmë fëmijët. Këtu duhet roli i prindërve, që të ndikojë për të folur me ta. Së pari fëmijët duhet t’i mbrojmë nga vetja dhe së dyti nga shoqëria, shkolla, rruga, raporti me të rriturit” shprehet sociologu për “5Pyetjet.al”.