Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë vendet e NATO-s. “Ekspertët tanë presin një periudhë prej pesë deri në tetë vjet në të cilën kjo mund të jetë e mundur”, tha ai për gazetën gjermane Der Tagesspiegel.
“Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë, kështu që duhet të kemi parasysh që Vladimir Putin mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s një ditë”. Por nuk ka gjasa “për momentin”, shtoi ministri gjerman.
Megjithatë, sipas tij një gjë është e sigurt, Evropa po përballet me një situatë kërcënimi që nuk ka ekzistuar për 30 vjet.
“Ne e shohim këtë përmes sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë së fundmi kundër miqve tanë në Baltik”.
“Nëse Putini fiton këtë luftë dhe pushton Ukrainën, rreziku për territorin e aleancës sigurisht që do të rritet gjithashtu”, potencoi ai mes tjerash.
Deklarata e tij vjen derisa gjatë ditës u raportua se një zyrtar i NATO-s paralajmëroi civilët që të përgatiten për konflikt me Rusinë.