Tre persona janë vënë për momentin në pranga nga policia në lidhje me ngjarjen e ditës së djeshme, ku skela e një pallati në ndërtim ra nga lartë duke plagosur dy kalimtarë, babë e bij.
Në pranga kanë rënë, Zef Kalaj, inxhinier, Elton Osmanllari sipërmarrës dhe punëtor ndërtimi dhe Erjon Kanto punëtor ndërtimi, burimet tona informojnë se bëhet fjalë për kompaninë “Arlis”.
“Më datë 22.01.2024, rreth orës 10:10, në bulevardin “Gjergj Fishta”, janë rrëzuar skelat e nje pallati në ndërtim e sipër, dhe si pasojë janë dëmtuar 2 shtetas (kalimtarë) H. L., rreth 70 vjeç, dhe I. Sh., rreth 45 vjeçe.
Dy të dëmtuarit ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Në ambientet e Policisë janë shoqëruar inxhinieri i pallatit, shtetasi K. S., dhe punëtorët N. S., dhe A. P., për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhej në njoftimin e policisë.
Personat e plagosur nga kjo ngjarje ishin babë e bijë, 70 dhe 45 vjeç.
Kalimtarët u transportuan me urgjencë në spital, ndërsa 70-vjeçari i lënduar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Ju informojmë se pacienti me inicialet H.L. është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pacientja me iniciale I.Sh. në gjendje shëndetësore stabël, po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor”, njoftoi Spitali i Traumës.