-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Çfarë ndodhi përtej krismave të pushkës?

Kryesoret

Libri “Ishte luftë” i Flaka Surroit është një panoramë me kujtime të tmerrshme mbi vitet ‘90 dhe dëshmi mbi kryengritjen tjetër kundër pushtetit serb. Mes pashpresës, gjakut e baltës shpesh triumfon humanizmi. Kjo vepër është edhe homazh për shumë heronj të heshtur të Kosovës, që bënë aq shumë për shpëtimin e popullatës civile dhe u harruan nga shoqëria e shteti

Në fillim të viteve ‘90, me heqjen e autonomisë së Kosovës nga regjimi serb dhe instalimin e pushtetit ushtarako-policor të Beogradit, si për shumë qytetarë të Kosovës edhe për Flaka Surroin u përmbys një botë. Ajo u përkiste aradheve të pafundme të shqiptarëve të dëbuar nga puna dhe të mbetur pa bazë të ekzistencës. Shumë njerëz vendosën të ikin në botën perëndimore, Flaka Surroi vendosi të qëndronte në Kosovë – si qindra-mijëra bashkëkombës të saj. Juriste me profesion dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, ajo, po të donte, lehtë do të mund të bënte një karrierë në ndonjë agjenci të OKB-së në Gjenevë apo New York.

Në Gjenevë, Flaka Surroi do të shkonte disa herë në fillim të viteve ‘90 si pjesë e delegacionit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i cili njoftonte Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbi represionin serb në Kosovë. Pas përfundimit të seancave dëgjimore në Gjenevë, ajo kthehej në Prishtinë dhe vazhdonte punën në KMDLNJ. Aty do të angazhohej dy vjet si vullnetare. Një punë vetëmohuese të cilën – pas tre vjetësh në Agjencinë e OKB-së për refugjatë (UNHCR) – do ta vazhdonte më vonë në UNICEF, në agjencinë e OKB-së për mbrojtjen e fëmijëve, zyra në Prishtinë.

Mbi vitet e represionit dhe periudhën e luftës, Flaka Surroi së fundi ka botuar librin “Ishte luftë”. Ky është një libër i domosdoshëm dhe i rëndësishëm. Këto janë kujtime që dëshmojnë për një kapitull të kryengritjes tjetër kundër pushtetit dhe pushtuesit serb. Falë punës së Flaka Surroit si udhëheqëse e UNICEF-it në Kosovë, në vitin 1996 u vaksinuan 234 mijë fëmijë kundër poliomieltit (paralizës së fëmijëve), një sëmundje e rrezikshme infektive që godet sidomos fëmijët nga mosha 0 deri 5-vjeçare. Këta fëmijë të vaksinuar nga mesi i viteve ‘90 sot janë gra e burra mes moshës 28 dhe 33 vjeç, kryesisht nga zonat rurale të Kosovës – nga Drenica në Dukagjin e gjetiu.

Në kujtimet e saj, Flaka Surroi nuk kapardiset mbi rolin e saj human në vitet ‘90. Ajo gjen fjalë të meritueshme për shumë heronj të heshtur të cilët shoqëria e Kosovës i harroi gati krejtësisht pas luftës. E shohim në këtë libër doktor Gani Demollin, i cili nuk përton që bashkë me Flaka Surroin të shkojë edhe në fshatrat më të thella të Kosovës për të gjetur fëmijë që duhej vaksinuar. E shohim arkitektin Gazmend Bunjakun, i cili është pjesë e ekipit të UNICEF-it, dhe motrën e tij Linda Bunjakun, po ashtu të angazhuar në sektorin humanitar. Që të tre – Gani Demolli dhe motër e vëlla Linda e Gazmend Bunjaku – nuk jetojnë më. Duke vlerësuar punën e tyre, Flaka Surroi troket në ndërgjegjen e topitur të shoqërisë.

Libri i saj përmban plot e përplot ngjarje të dhimbshme, situata absurde (për shembull kur një komandant jo aq mendjehollë tenton të arrestojë një punëtor shqiptar të UNICEF-it ngase është i bindur se është “magjup”, fjalë pezhorative për pjesëtarët e komunitetit rom), por edhe çaste gëzimi – ta zëmë kur nga zonat e luftës Flaka Surroi dhe ekipi i saj sjellin në Prishtinë një grua shtatzënë, e cila lind binjakë në Prishtinë. Ata, dy djem, do të pagëzoheshin me emrat Gazmend dhe Genc – kësisoj ata do të bartnin emrat e dy punëtorëve të UNICEF-it të cilët ishin pjesë e ekipit të Flaka Surroit, që e solli gruan shtatzënë në Prishtinë. Dhe e shpëtoi. Sepse shtatzëna ishte anemike.

Mes baltës, gjakut e rezistencës lexuesi sheh Flaka Surroin ashtu siç është edhe sot: parimore, korrekte dhe veçanërisht këmbëngulëse në punën e saj. Në vitet e luftës, kur pak përtej Prishtinës fillonte vargu i postblloqeve të policisë serbe, ajo frikën duket se e lë në kryeqytetin e zymtë të Kosovës dhe kundërshton policët serbë, u del para tytave, futet në pista me lloç për të arritur te një lagje a fshat dhe u sjell ndihmë grave shtatzëna, e nganjëherë as nuk ngurron, as nuk përton të kundërshtojë edhe ndonjë komandant lufte që ose nuk e kupton rëndësinë e kujdesit shëndetësor ndaj popullsisë civile ose dëshiron të demonstrojë pushtet në zabelin e tij. Puna e UNICEF-it në terren ndoshta nuk do të ishte aq e suksesshme pa angazhimin e madh të njerëzve humanistë e trima si Xhemajl Bajrami nga Drenasi, një albanolog dhe kryetar i degës së Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”. “Qëndrimi i palëkundur i Bacës Xhemë gjatë luftës qe ai i cili nxiti ca matrapazë, që në emër të pushtetit të ri, ta sulmonin fizikisht menjëherë pas përfundimit të luftës”, shkruan Flaka Surroi. Themeluesin e degës së “Hendikosit” në Suharekë, Rexhep Kuçin, Flaka Surroi e përshkruan si njeri të qetë, të guximshëm dhe modest. Shkurt: njeri i mirë. Rexhep Kuçi e Xhemajl Bajrami kanë vdekur viteve të fundit. Gjallë është Shefqet Paçarizi, i cili jeton në Dragobil. Gjatë luftës ai shpëtoi shumë jetë kur në Pagarushë arritën mijëra refugjatë. Ndërsa Kosova po betonohet jo vetëm me ndërtesa pa shije, por edhe me “arkitekturë përkujtimore” përjashtuese ndaj atyre që i rezistuan pushtetit serb pa armë, por nganjëherë në mënyrë më efikase se ndonjëri me armë, është me rëndësi që me libra si ky i Flaka Surroit të plotësohet zbrazëtia e dokumentimit të plotë të procesit të çlirimit të Kosovës.

Një ndër pjesët më të fuqishme të librit të Flaka Surroit është ajo për Prishtinën në ditët e para të bombardimeve të NATO-s. Janë shënime nga ferri mbi përpjekjet e familjeve të kryeqytetit për të shpëtuar nga policia serbe, për të gjetur një kthinë të sigurt apo një shteg për t’u larguar nga Prishtina. Të paktë ishin ata që u larguan, sepse makineria vrastare serbe, e sprovuar në zanatin e spastrimit etnik në Kroaci e Bosnjë, tani po i dëbonte gati të gjithë banorët e Prishtinës. Mes tyre edhe Flaka Surroin. Në ditët e para të sulmeve të NATO-s ajo me të drejtë ishte mllefosur me punën joprofesionale të burokratëve të OKB-së në New York të cilët në një email “që po të donte mund ta lexonte përafërsisht mbarë bota”, njoftonin se drejtuesja e zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, Flaka Surroi, ishte gjallë, por duke u fshehur me vëllain e saj dhe jetët i kishin në rrezik. Mesazhi i pamenduar nga zyra e UNICEF-it në New Yorku ishte makabër: duhet ta gjeni Flaka Surroin për të zbuluar se ku fshihet Veton Surroi.

Pasi u dëbua në Maqedoni, Flaka Surroi do të mund të hynte në njërin nga avionët e shumtë dhe të shkonte refugjate në Gjermani a Zvicër (nuk e bëri këtë hap, nuk e kishte bërë as në fillim të viteve ‘90, por për të mos humbur kontaktin me botën mbante në Maqedoni një numër telefoni të Zvicrës).

Në shtetin fqinj të Kosovës shumica maqedonase mbante një qëndrim kryesisht indiferent ndaj luftës së Kosovës dhe refugjatëve që gjetën strehë në kampe dhe shtëpi të shqiptarëve të atjeshëm. Shumica e punëtorëve maqedonas në zyrën e UNICEF-it në Shkup tentonin të pengonin angazhimin e kolegëve të zyrës së Prishtinës, shpesh edhe sabotonin punën. Duket se këto pengesa vetëm sa i dhanë edhe më shumë energji Flaka Surroit të zhvillojë disa beteja e fjalosje me ton të lartë për të vazhduar aktivitetin e saj humanitar në Maqedoni. Në afat rekord UNICEF-i hapi klasë për nxënës nga Kosova që tani nuk e dinin çfarë e ardhme i priste, por së paku ishin të sigurt në Maqedoni.

Në vitet ‘90 Flaka Surroin e shohim duke bartur vaksina nëpër fshatrat e Kosovës për të shpëtuar qindra-mijëra fëmijë nga sëmundje të rrezikshme. Tani, në pranverën e vitit 1999, e shohim duke bartur banka e materiale të tjera shkollore për t’i kthyer në shkollë fëmijët refugjatë të Kosovës. Atje, në vendin e saj, ajo do të kthehej para refugjatëve dhe pak orë pasi trupat britanike kaluan kufirin dhe hynë në Kosovë. Koncerti i lirisë filloi me zhurmën e helikopterëve e kamionëve ushtarakë të NATO-s./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit