Erjona Shehu, një mjeke dermatologe e ftuar në “Wake Up”, ka treguar se zgjebja është rizgjuar dhe janë shtuar rastet me këtë sëmundje e cila është tepër ngjitëse.
Sipas mjekes sëmundja prek më shumë adoleshentët dhe gjithashtu nga qëndrimi afër i të infektuarëve me persona të tjerë.
“Pas pandemisë ne shohim një rritje të rasteve me zgjebe. Moshat e reja preken më shumë, adoleshentët. Pacienti vjen për vizitë me gjithë familjen pas, pra kemi një grup të tërë, apo një rreth familjar sepse është ngjitëse, shumë e transmetueshme dhe kjo sjell për pasojë përhapjen në popullatë”, u shpreh Erjona Shehu.
Dermatologia shpjegon se dikur kjo sëmundje vinte si pasojë e higjienës së ulët, por tani nuk ekziston më ky diferencim dhe po preken dhe shtresat e mesme apo të larta.
“Por tashmë ajo që na bën më shumë çudi e shohim në shtresat e mesme dhe lart. Shohim që ka një përhapje, nuk është më diferencuese apo vetëm tek masat higjienike, që ne marrim në ambientet tona.
Gjëja e parë që mendohet dhe që ka të bëjë me periudhën post pandemisë ka qenë shumë të mbyllur dhe të izoluar njerëzit me njëri-tjetrin dhe zgjebja e ka specifikën e vetë që gjatë periudhës së dimrit që ne rrimë të mbyllur, ka një përhapje më të madhe, rrobat ndërrohen më pak, ka më pak efekte të diellit. Po pastaj një tjetër faktor që mendohet se ka të bëjë me zgjebën është edhe fakti që ne po shohim rezistencë karshi mjekimit tek pacientët me zgjebe” shpjegoi dermatologia.