Katër orë u pyet ditën e sotme në SPAK, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës për dosjen e kompleksit “Partizani”. Në dalje, në një prononcim për mediat tha se ia tha në sy dy prokurorëve që arrestimi pa e pyetur ka qenë i padenjë. Renditi sipas tij arsyet se përse hetimet dhe arrestimi i tij ka qenë politik.
“Taulant Balla ka thënë disa gënjeshtra rresht për pronësinë e tokës, pastaj presioni që Rama i ka bërë SPAK-ut. SPAK-u ka refuzuar të pranojë ekspertizën kontabël. Qartazi është i montuar.
Gjithë procesi nuk ka dëm nga financat publike, por e ka pësuar të paktën 330 mijë Euro nga Edi Rama. U dhashë edhe denoncimet që ka bërë PD-ja, që ka dhënë Edi Rama në të gjithë Shqipërinë. Nuk preferuan të marrin edhe dokumentin me firmë të Ramës që e bëri zonë urbane me parametra të larta.
Pati qëndrime të padenja për prokurorin, pa e kuptuar situatën pronësore ka arrestuar një njeri pa e pyetur dhe këtë ia thash në sy.
U pyeta si person nën hetim. Më pyetën për të ardhurat, i kam të ligjshme” tha ai. Dje u mor në pyetje Sali Berisha. Të dy, Berisha dhe dhëndri janë në arrest shtëpie.
Gazetarët e “ngacmuan” në fund. E hoqët kapelen përpara prokurorëve? “Po, kapelen këta e linin këtu (tek hyrja), nuk e di përse” tha ai duke u larguar i buzëqeshur.