Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka reaguar pas denoncimit të Flamur Nokës që dje i publikoi një foto ku shfaqet krah socialistëve me shall pioneri në një aktivitet në Vlorë. Deputeti i PD-së tha se ka shkelur kodin e etikës, por Sadushi ka një tjetër version.
“Tri njësi administrative, bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Selenicës, në datën 20 janar 2024, organizuan në mënyrë të përbashkët një veprimtari në kujtim dhe nderim të 80 vjetorit të krijimit të Brigadës së Pestë, një nga formacionet më të njohura luftarake shqiptare, pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, që ka kontribuar në çlirimin e vendit dhe ka luftuar në Kosovë e deri në Sanxhak të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë aktivitet jam ftuar mes qindra të tjerëve, me cilësinë e pjesëtarit të familjes së një prej themeluesve të kësaj brigade, babait tim Maliq Sadushi.
Në këtë kuptim, pretendimi se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në veprimtari të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit është i gabuar dhe jo logjik. Pjesëmarrja në një veprimtari përkujtimore të Luftës Antifashiste, e cila nderohet sot në të gjithë botën demokratike, nuk cilësohet si angazhim në një aktivitet politik, e aq më pak të identifikueshëm me një parti të caktuar politike në Shqipëri.
Unë ndjehem plotësisht i përgjegjshëm dhe i përkushtuar ndaj detyrimeve të mia si gjyqtar dhe si qytetar, pjesë e të cilave është dhe mirënjohja për sakrificat që populli shqiptar bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim të këtij shpjegimi të detyruar, gjej rastin të siguroj publikun se angazhimi im profesional në fushën e drejtësisë do të jetë i njëjtë, me përkushtim maksimal, të përditshëm e të ndershëm në misionin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës” shprehet Sokol Sadushi.