Klodian Duro u bë pjesë e shtëpisë së “Big Brother”, si një ndër imazhet që publiku kishte më shumë pritshmëri. Megjithatë, qëndrimi i ish-futbollistit në “Big Brother”, ishte shumë i shkurtër.
Shkak janë bërë pikërisht deklaratat e tij, ku fliste për dhunën ndaj ish-gruas së tij. Menjëherë, produksioni vendosi që të përjashtohej nga loja, duke i quajtur këto deklarata të papranueshme për publikun.
“Unë kur kam rrahur gruan, e di si më dukeni ju të tjerët?” Ishte kjo flalia që penalizoi sportistin, duke e nxjerrë menjëherë nga shtëpia. E në fakt, të gjithë e mbajnë mend kalvarin e Klodian Duros me drejtësinë, që pak vite më parë është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 4 muaj burg për shkak të dhunës së ushtruar ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Duro është dënuar me 6 muaj, por prej gjykimit të shkurtuar ku zbritet 1/3 e dënimit, duke u konvertuar në 4 muaj burg. Kjo masë dënimi është shlyer gjatë masës së sigurisë, ku ai ka qenë në Arrest Shtëpie. Në fashikujt e Gjykatës së Tiranës vërehen faktet që kanë çuar në dhënien e këtij vendimi.
Ish-bashkëshortja e Klodian Duros ka njoftuar policinë në datën 24 mars të vitit 2020 pasi ndihej e kërcënuar. Ai ka shkuar në banesën e Dorinës (Ish-bashkëshortja), ku ka kërkuar të hapë derën me forcë. E gjendur në këtë situatë ka kërkuar ndihmën e uniformave blu, të cilët kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Klodian Duro.
Siç tregon Dorina para oficerit të Policisë Gjyqësore, ai e shqetësonte gjatë gjithë kohës, si në punë, ashtu edhe kur dilte me shoqërinë. Qëndronte i fshehur dhe duke i dalë përpara dhe për këtë shkak thotë ajo ka nisur proceduren për divorc që është dhënë nga Gjykata në 27 janar të vitit 2020. Dorina, gjithashtu ka treguar se Klodiani i shkonte në shtëpi thuajse çdo natë, duke e bezdisur e shantazhuar. Kjo situatë kishte shkaktuar stres dhe ankth edhe te vajza e tyre. Dhunë psikologjike sistematike, ndërsa fizike ka kulmuar pikërisht në ambientet e punës. Në datën 5 mars të vitit 2020, Duro ka shkuar në punën e saj, ku kanë nisur të debatojnë me tone të ashpra. Në debat e sipër, ai e ka kapur nga fyti duke e kërcënuar me jetë.
Për këtë ngjarje, Dorina shprehet se ekzistojnë edhe pamje filmike që janë vënë në dispozicion të policisë gjyqësore.
“Për sa i përket dhunës fizike ajo (Dorina) shton se në një rast me datë 5.3.2020, kur Klodiani ka shkuar në punën e saj dhe kanë nisur të debatojnë, në debat e sipër ai e ka kapur nga fyti duke e kërcënuar me jetë. Për këtë ngjarje, thotë e dëmtuara, ka edhe pamje filmike nga kamerat e sigurisë së punës të cilat i ka vendosur në dispozicion të policisë gjyqësore”, thuhet në fashikullin e vendimit të Gjykatës së Tiranës. Megjithatë, në dëshminë e tij, ai dha një tjetër version të ngjarjes që edhe e çoi në burg.
Të martën e 24 marsit, Klodian Duro, i shqetësuar si gjithmonë për vajzën e tij në këtë kohë krize coronavirusi, ka marrë në telefon në shtëpinë e ish-bashkëshortes për të folur me vajzën e tij. Asnjë përgjigje./Panorama