Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur para mbështetësve të tij, u është drejtuar duke thënë se ata nuk mund të pranojnë kurrë që Berisha, të shpallej 8 vite pas largimit nga pushteti, i rrezikshëm për korrupsion. Berisha u shpreh se PD do të ishte një fasadë po të mos ishte për “kthesën” që u ndërmor, ku vendimet do të merreshin nga “Balla e Brava”.
“Dy vjet më parë në mënyrë që Edi Rama të vendoste paqen e përhershme në sundimin e tij, në mënyrë që Edi Rama të qeveriste i qetë me Lulin e tij, Sali Berishën e shpallën non grata për korrupsion, e shpallën non grata për minimin e demokracisë.
Unë e di se, sa e vështirë ishte për ju kthesa, por ju njerëz të ndershëm, idealistë, ju njerëz të të vërtetës, nuk mund të pranonit kurrë të besoni gënjeshtrën për të vërtetë.
Por s’mund të pranonit ju kurrë një vendim i cili bazohej fund e krye në korrupsionin transnacional Rama-Soros-McGonigal, i cili kishte për qëllim vetëm një, të forconte pushtetin e Edi Ramës.
Pavarësisht se i vriste Shqipërisë shpresën.
Pavarësisht se e shndërronte Shqipërinë në një vend pa opozitë, vështirësitë tuaja individuale, familjare, sociale për të zgjedhur ishin të jashtëzakonshëm.
Demokratet e demokratët ishin njerëzit e vërtetë dhe zgjodhën të vërtetën.
Zgjodhën opozitarizmin sovran.
A mund të pranonit ju se Sali Berisha kishte minuar demokracinë në një kohë ju, vetëm 5 muaj para largimit tim nga pushtetit dëgjuat me veshët tuaj se si, sekretarja Hillary Clinton i tha shqiptarëve dhe botës; cilido që dëshiron të shikojë demokracinë në veprim të vijë në Shqipëri.
Jo e jo, ju u ngritët, morët kthesën shpëtimtare për PD-në, për opozitën shqiptare, për pluralizmin” tha Berisha.