Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbetur vetëm me një avokat në gjyqin që po zhvillohet kundër tij në Hagë për krime lufte. Ekipi mbrojtës i zgjedhur privatisht është larguar për shkak se nuk është paguar. Këtë e konfirmoi edhe vëllai i Thaçit, i cili deklaroi se nuk do të vazhdohet më kontrata.
Tashmë ish-presidenti ka vetëm një avokat të paguar nga qeveria e Kosovës. Por sa e dëmton kjo procesin? “5Pyetjet.al” zhvilloi një bisedë me avokatin Artan Qerkini nga Kosova. Ai u shpreh se bazuar te parimi i barazisë së armëve në një proces, qeveria e Kosovës duhet të sigurojë, pra të paguajë më shumë se një përfaqësues ligjor në mbrojtje të Thaçit.
“Tërheqja e avokatit e dëmton secilin proces e sidomos kur bëhet fjalë për një proces kaq kompleks si i zotit Thaçi dhe të tjerëve. Nuk mendoj se do të ketë kosto shtesë për procedurën e efikasitetit. Çështja do i transferohet avokatit tjetër. Nuk mendoj se do ta dëmtojë shumë cilësinë e mbrojtjes dhe nuk besoj se do të zvarritet procedura.
Ekziston parimi i barazisë së armëve, nëse për prokurorinë punon një armatë e tërë edhe për mbrojtjen duhet të angazhohen. Ministria e Drejtësisë ka marrëveshje me avokatin Luka Misetiç, që do të vazhdojë ta përfaqësojë dhe avokati Gregory Kehoe është i angazhuar me mjete rrethanake që paguhen me fonde që janë krijuar për këtë qëllim.
Mbrojtja ka njoftuar tërheqjen për shkak të mospagesës. Avokatët ndërkombëtarë janë mjaft të kushtueshëm. Nuk i di mundësitë e buxhetit të Kosovës, por duhet të bëhet çmos që të garantohet barazia e palëve në proces. Qeveria duhet të mendojë në këtë çështje. E ka për detyrim ta garantojë barazinë e armëve në proces” tha ai për “5Pyetjet.al”.
Por a mund ta bëjë pagesën një palë e tretë, qoftë edhe Shqipëria? “Po, nuk e shoh të pamundur sepse nuk është e ndaluar që shpenzimet e mbrojtjes të paguhen nga persona të tretë. Dhe natyrisht nëse shteti shqiptar tregon vullnet, pse jo, mund t’i mbulojë shpenzimet e mbrojtjes”.
Por si po ecën procesi tani? “Procesi ka një zvarritje dhe nuk ka arritur të sigurojë balancën e drejtë” tha Qerkini. Për një fund të gjyqit ende nuk mund të flitet. “Nuk mund të them se do ta shohim një epilog shumë të shpjetë nëse gjykata nuk shkurton listën e dëshmitarëve, prokuroria i ka sugjeruar 300 dëshmitarë, tani jemi te i 44-tërit, që do të marrin vite të gjithë. Gjykata mund ta shkurtojë listën dhe nëse do ta përdorë këtë, procesi mund të jetë më i shkurtër” tha ai për “5Pyetjet.al”.