Kryetari i Partisë së Lirisë ishte në Pustec. Ka postuar në Facebook një foto me një banor. Shkruan se në 11 vite në pushtet të Edi Ramës aty janë shtuar vetëm gomerët. Rendit dy nga shumë arsyet.
“Në Pustec, atje ku falë “Rilindjes” vetëm gomerët janë shtuar këto 11 vite qeverisjeje dhe kjo për dy arsye:
Së pari për shkak të çmimit të naftës që vazhdon të jetë në “qiell” dhe i paleverdisshëm për të përdorur traktorët për punimin e tokës;
Së dyti sepse i vetmi investim i bërë nga “Rilindja” prej gati 5 milionë euro për ujësjellësin, për shkak të korrupsionit, rezultoi në katastrofë për banorët e këtij komuniteti të mrekullueshëm, të cilët jo vetëm duhet të përdorin gomerët për të marrë ujë të pijshëm në burimet e dikurshme, por edhe për t’u larë u leverdis më shumë të përdorin ujin e liqenit të Prespës.
Pse në këtë parajsë natyrore pakësohen njerëzit e mrekullueshëm dhe sidomos të rinjtë e fëmijët, pakësohen lopët dhe bagëtitë e imta por shtohen gomerët.
Partia e Lirisë do të bëjë çdo përpjekje për t’i dhënë fund lënies në harresë dhe injorimit të halleve të këtij komuniteti të mrekullueshëm, që jo vetëm vuan pasojat e braktisjes e korrupsionit por edhe i rrezikohet shëndeti nga kjo papërgjegjshmëri.
Me Partinë e Lirisë komuniteti maqedonas do të ketë vëmendjen dhe mbështetjen e merituar” shkruan ai.