Serbët e zhvendosur nga Kosova të hënën vendosën një bllokadë në qytetin e Rudares, në jug të Serbisë, pranë pikës kufitare me Kosovën, Merdare. Trafiku u pengua nga një kamion që bllokoi rrugën për rreth një orë nga mesdita. Sipas mediave, organizator i bllokadës ishte Shoqata e serbëve të shpërngulur nga Kosova.
Por deri ku mund të shkojë rindezja e tensioneve në veri? Drejtori Ekzekutiv në Institutin për Studime Evropiane dhe Globale në Prishtinë, doktori i shkencave Jeton Halimi deklaroi në një intervistë për “5Pyetjet.al” se Albin Kurti po i “frynë zjarrit” të tensionit.
“Është paralajmëruar përmes mediave dhe rrjeteve sociale një protestë. Janë informuar qytetarët e Kosovës se në Merdarë do të organizohet një protestë hakmarrje për dinarin. Përkundër kritikave që janë bërë nga SHBA, BE dhe miqtë tanë, vendimi është në fuqi dhe zoti Kurti nuk “do të ndjenë për atë punë”.
Kjo është një qasje e gabuar edhe e serbëve. Vendimi është i mirë se vetëm me Euro duhet të punohet, por vendimi vjen në kohë jo të mirë. Unë mendoj se ky vendim duhet të matet dhe Kosova nuk duhet t’i fryjë zjarrit, por ta fikë.
SHBA dhe BE po bëjnë përpjekjen maksimale për të qetësuar situatën për një marrëveshje përfundimtare dhe këto përpjekje për pak të mos na shkojnë në ujë dhe të mos ketë ndonjë ekses në veri, që Serbia t’i ta përdorë shumë mirë.
Nuk e dimë se kur ndizet zjarri deri ku do të arrijë. Shpresojmë që të ulen dhe të bisedojnë për një normalitet. Vendimi të shtyhet për një kohë të caktuar dhe të mos ketë nxitje. Është edhe lufta në Ukrainë dhe këtu sa i fryjnë zjarrit. Vuçiç është një mini-Putin i vogël në Ballkan” tha ai për “5Pyetjet.al” .