Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano u shpreh sot se BE-ja është e shqetësuar për “vendimet e njëanshme” që po merr pala kosovare dhe se kjo ngrit frikën se “Kosova mund të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa” në rrugën drejt integrimit.
“Ne nuk i frikësohemi një status-qoje, nuk i frikësohemi asgjëje në këtë aspekt. I frikësohemi vetëm se njerëzit e Kosovës dhe Serbisë mund të mbesin jashtë nga ajo që është aty për ta nga procesi i anëtarësimit.
Kemi reaguar në javët e fundit, veçanërisht për vendimet e njëanshme nga pala e Kosovës. Këto kanë ngritur shqetësimin, së bashku me mënyrën e komunikimit nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Këto krijojnë frikë te ne, që Kosova mund të mbetet jashtë dhe prapa”, ka thënë Stano.
Ai ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak po punojnë me partnerët në rajon dhe ndërkombëtarët, brenda e jashtë BE-së, për të mundësuar që të dyja palët të fillojnë të bëjnë hapa që do të lejojënë të vazhdohet në dialog e të zbatohet ajo që është arritur pranverën e kaluar në Bruksel e Ohër.