Mediat britanike njoftuan se një shqiptari emri i të cilit nuk bëhet publik dhe identifikohet si “C9”, iu hoq nënshtetësia pas akuzave se kishte orkestruar një operacion masiv për trafikimin e emigrantëve nëpërmjet Kanalit Britanik.
Pasi hyri në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht në vitin 1999, shqiptari arriti të merrte nënshtetësinë përpara se të vihej nën akuzë për lehtësimin e futjes të qindra emigrantëve në këtë vend, kryesisht shqiptarë.
Në 2020-tën qetësia e tij mori fund kur u akuzua për pastrim parash, shpërndarje droge, armëmbajtje pa leje dhe krijimin e një rrjeti për trafikimin e emigrantëve.
Operacionet e tij fillimisht kishin të bënin me fshehjen e emigrantëve në kamionë. Por teksa Covid-19 u përhap nëpër glob, C9 e ndryshoi strategjinë, duke përdorur varkat e vogla për të transportuar emigrantët në Kanalin Britanik. Kjo lëvizje çoi në një përshkallëzim domethënës në shkallën dhe guximin e operacioneve të tij.
Në 2020-n, Sekretari i Brendshëm i revokoi pasaportën britanike C9, duke cituar statusin e tij si një ‘lehtësues i rëndësishëm kriminal’. Pas një beteje të gjatë ligjore, Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit e mori vendimin përfundimtar në Janar të 2023-t.
Siç shkruajnë mediat britanike, ky vendim vendos një precedent, duke shënuar personin e parë që humb nënshtetësinë britanike për shkak të akuzave për trafik të emigrantëve.
Masa e marrë ndaj veprimeve për të cilat akuzohet C9, shkon përtej tij. Bashkëshortja dhe 4 fëmijët, të gjithë shtetas britanikë, tani përballen me të ardhme të pasigurt. Teksa ata mbeten në Mbretërinë e Bashkuar, akuzat ndaj të atit nuk ka sesi të mos prekin jetën e tyre.