-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shkodra në “ethet” e karnavaleve, ja kur mbahen

Kryesoret

Qytetin e Shkodrës e kanë kapur ethet: Në datat 23, 24 dhe 25 shkurt bashkia do të organizojë Karnavalet. Dhe ka premtuar se kjo festë tradicionale do të jetë njëkohësisht “si dikur e si kurrë ma parë”!

Karnavalet e Shkodrës janë një nga elementet më të rëndësishëm identitar e historik të qytetit, prandaj këtë vit po punohet që të marrin shkëlqimin e dikurshëm. Ato do të konceptohen si një festë e madhe, që do të zgjasë tri ditë e tri netë dhe do të mbledhë në rrugicat e qytetit fëmijë, të rinj e të rritur.

Slogani i këtij viti, “Rrugët e Shkodrës n’Karnaval”, u zgjodh për të përcjellë disa mesazhe njëkohësisht: në kuptimin e parë të fjalës, si informim i thjeshtë, i drejtpërdrejtë se këtë vit rrugët e Shkodrës do të pushtohen nga atmosfera e Karnavaleve, por edhe në nënkuptimet metaforike, rrugët si simbolikë e rrjedhës historike të qytetit dhe e organizimit të Karnavaleve ndër vite, që prej 1860-ës deri në ditët e sotme, kur po rikthehen ngjyrat e vërteta dhe trajtimi dinjitoz, siç kjo traditë e meriton si dhe rrugët si problematika e kahershme e Shkodrës, për të cilën qytetarët dhe pena shpotitëse e bejtexhinjve kërkon zgjidhje për një jetë më të mirë.

Shkodra është një ndër qytetet e para që kanë përkrahur festimin e karnavaleve shekuj më parë, duke shfaqur një epërsi në “harlisjet” karnevaleske të qytetit. Kjo ndoshta ka lidhje me natyrën artistike, krijuese dhe humorin tipik shkodran, duke qenë se arti është emëruesi i përbashkët i Karnavaleve. Arti te kostumet e maskat origjinale, te rreshtat me mesazhe e stil të bejteve shpotitëse, deri edhe tek arti i kuzhinës, me gatimet tipike.

Dikur, njerëzit e veshur për Karnavalet e Shkodrës quheshin “surretën”. Grupet e surretënve formoheshin në lagje dhe koordinoheshin me njëri-tjetrin. Nën maskë njerëzit e ndjenin veten më të lirë e të papërgjegjshëm, ndaj për sa kohë ishin të maskuar, i kapërcenin rregullat e qytetarisë së mirë.

Një element kryesor i traditës së Karnavaleve ishte dordoleci, i realizuar me copë dhe i mbushur me kashtë (sanë). Ai kishte një maskë të shëmtuar, kapele dhe në gojë i vinin një petull. E mbante mbi shpinë një surrat i veshur me lëkurë të zezë, që simbolizonte Dreqin (Luçiferrin). Surla e lodra printe përpara për të lajmëruar ardhjen e surretënve. Në përfundim, pas itinerarit të gjithë mblidheshin një vend të caktuar për të djegur dordolecin. Një fakt interesant është se në vitin 1895, për realizimin e surratit është angazhuar një personalitet i kohës, Kolë Idromeno, çka dëshmon peshën që kjo traditë kishte për shkodranët. Dordoleci dhe djegia e tij do të realizohet edhe këtë vit, në mbrëmjen e ditës së tretë dhe finale të Karnavaleve, ndaj jemi kureshtarë ta shikojmë.

Por dordoleci nuk është i vetmi element special i Karnavaleve. Edhe pse ato të dikurshmet kanë qenë ndryshe nga manifestimi i tyre në ditët e sotme, një gjë që ka rezistuar janë bejtet. Elementi i këtij thumbimi satirik që godet fenomenet negative dhe problemet e aktualitetit, do t’u bashkëngjitej Karnavaleve kohë pas lindjes së kësaj tradite, ndoshta atëherë kur situata dhe gjendja ekonomike e qytetit filloi të binte dhe pakënaqësitë sa vinin e shtoheshin. Ky element nuk do të mungojë as këtë vit, duke iu dhënë mundësi qytetarëve të Shkodrës të shprehen lirshëm dhe pse jo, të punohet me fort për të sheshuar pakënaqësitë e shprehura me vargje. Një nga gjërat interesante këtë vit është edhe sportiviteti i Bashkisë për të pranuar kritika e sugjerime në një formë aspak të zakonshme.

Duke lexuar më shumë rreth historisë së Karnavaleve në Shkodër kupton se edhe vendimi për t’i festuar ato për disa ditë vjen nga e shkuara. Dikur Karnavalet ndaheshin në dy ditë: Ditën e parë, të dielën, festonin fëmijët, në një organizim jo të përgjithshëm kolektiv, por në grupime rrugicash apo rrethe farefisnore. Ata shëtisnin, iu binin dyerve të shtëpive, këndonin, kërcenin dhe kërkonin si shpërblim petullat karakteristike, por edhe fruta të thata dimrore, si fiq të thatë, kumbulla të thata, arra e lajthia. Diçka e ngjashme me trick or treat të festës së Hallouinit, ku fëmijët, teksa trokisnin nëpër dyer, këndonin: Del del e zoja e shpisë/se te ti na jena nisë/ fiq e arra e lajthia/ hajmë terhan e gurabija.

Jemi të bindur se këtë vit Karnavaleve të Shkodrës do t’iu rikthehet bukuria e dikurshme. Ajo bukuri e dinjitet që u zbeh jo vetëm gjatë viteve të sistemit komunist por edhe deri vonë, pas viteve ’90, kur e vetmja përpjekje për ta mbajtur gjithsesi traditën gjallë ka qenë ajo e qytetarëve shkodranë, fanatikë për të ruajtur historinë dhe identitetin që u përket ndër vite.

 

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit