Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte padyshim shfaqja më e madhore ekzistenciale e gjenisë kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe udhëheqësve të saj.
Ishte një ngjarje e madhe për gjithë kombin shqiptar, pasi i ktheu atij krenarinë e qënies së vet të papërsëritshme. Pavarësia i dha një dimension tjetër historisë së shqiptarëve dhe për këtë nuk duhet rreshtur kurrë mirënjohja ndaj fuqive të mëdha dhe kryesisht ndaj SHBA-ve, që i dhanë goditjen vdekjeprurëse makinerisë vrasëse të Milosheviçit.
Kjo ngjarje unikale ishte para së gjithash fryt i shpirtit atdhetar të popullit të Kosovës, i cili luftoi me idenë e lirisë dhe të arsyes universal, për t’i ngulur njerëzit në tokën e tyre amtare, përballë dhunës, përndjekjeve, asimilimit dhe abuzimit të rëndë me të drejtat e njeriut, që ushtroi mbi të makineria shtetërore serbe për gati një shekull.
Origjinaliteti i shpirtit të popullit të Kosovës, gjenialiteti i prijësve të saj, nuk e lanë brutalisht mënjanë historinë kombëtare, të kaluarën e lavdishme mijëravjeçare, por u integruan me vullnete të përbashkuara, me cilësi të reja kombëtare, në luftë dhe përpjekje për të zhdukjen e pushtimit serb dhe të objektivit historik të Beogradit për shfarosjen e etnisë së Kosovës.
Kosova, e shkëputur padrejtësisht nga trungu amë në vitin 1913, njësoj si Çamëria dhe vise të tjera shqiptare, me shpalljen e Pavarësisë përqafoi sërish ndjenjën e mëvetësisë për të lartësuar identitetin e saj, mbi bazën e të drejtës universale të vetëvendosjes.
Mëvetësia e Kosovës si shtet i ri demokratik, mbi bazën e së drejtës natyrore dhe të drejtës historike, është një investim i drejtpërdrejtë në mbijetësën e kombit shqiptar në tërësi, aq shumë i rrezikuar historikisht nga fqinjët e tij ekstremistë dhe asimilues të paprecedentë.
Pas marrjes në dorë të fateve dhe përgjegjësive qeverisëse e shtetformuese nga përfaqësuesit legjitimë, në Kosovë u ndie menjëherë fryma e entusiazmit patriotik dhe një unitet moral i vërtetë për t’i shërbyer vendit, të sapodalë nga trauma e rëndë e shkaktuar regjimet diktatoriale serbe, që u përpoqën me makineri dhune e terror ekspansionist të përdhosnin vitalitetin dhe gjeninë e saj kombëtare.
Me humbjen e Kosovës, dhe më herët të Maqedonisë, ku shqiptarët janë legjislatorë të rëndësishëm dhe shtetformues, Serbia humbi përfundimisht, në mënyrë spektakolare, “statusin e shtetit hegjemon në Ballkan”, duke bjerrur kështu dalëngadalë entusiazmin e disa shteteve të mëdha dhe të fuqishme evropiane e më gjerë të cilët, duke e konsideruar veten si pronarë ekskluzivë të racionalitetit dhe gjeopolitikës së rajonit tonë, gjithmonë e kanë kundruar Serbinë, pavarësisht nga mungesa e sensit historik dhe dyshimit etnologjik të manifestuar prej saj, si një fuqi të madhe ballkanike që mund të shtrihet edhe jashtë caqeve të saj kombëtare. Ide kjo gati naziste dhe megalomane e një hierarkie natyrore mes popujve. Kjo “urtësi” barbare diplomatike, e manifestuar shpesh nga Perëndimi, buron nga “Kompleksi i Londrës”, ku Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1913 vendosi copëtimin e territoreve shqiptare, duke lënë jashtë kufijve Kosovën, Çamërinë dhe vise të tjera shqiptare.
Serbisë ende i shijon ky delir etnocentrik i “fuqisë së madhe ballkanike”, duke u përpjekur kësisoj të mbajë peng të ardhmen e Kosovës, falë edhe disa “koncensioneve” absurde që shtete të caktuara perëndimore i dhurojnë herë pas here asaj, edhe pse e vërejnë qartë se regjimi i sotëm serb i presidentit ksenofob Vuçiç asesi nuk ka hequr dorë nga despotizmi dhe doktrinat e dehumunazimit të shqiptarëve dhe ende nuk është distancuar nga krimet e ish-shefit të tij Slobodan Milosheviç.
Duke e interpretuar shpesh Pavarësinë e Kosovës si partikularizëm krahinor i një “race inferiore”, propaganda serbe, edhe pse e di që Kosovën e ka humbur njëherë e përgjithmonë, përpiqet të krijojë një alibi infantile, duke vonuar kështu në sytë e fuqive përëndimore perceptimin e forcës reale që zotëron.
16 vjet pas shpalljes së Pavarësisë Kosova po i tregon mbarë opinionit ndërkombëtar se është plotësisht e aftë të vetëqeveriset demokratikisht, se demokracinë e ka mision dhe motiv krenarie, se di të zëvëndësojë elitat politike dhe të realizojë zgjedhje model; di të respektojë minoritetet dhe të luftojë për të ndërtuar profilin e një shteti serioz, me identitet kolektiv të qartë dhe modern, me koordinata e shenja dalluese properëndimore dhe euroatlantike, duke rrëzuar në mënyrë radikale pretendimet e disa ideologëve serbë e proserbë se kosovarët nuk e kanë idenë e shtetformimit dhe nuk mund të bëjnë dot shtet, nuk dinë të administrojnë lirinë.
E vetmja plagë nga e cila vuan Kosova është shpopullimi masiv, në prerogativë të gjetjeve të mundësive të reja nëpër botë, duke shkelmuar të mirat e sovranitetit. Është fatale që 16 vjet pas fitimit të pavarësisë Kosova të përfshihet nga ethet e emigracionit dhe të zbrazet nga qytetarët e saj, fenomen që po e përjeton rëndë vitet e fundit edhe Shqipëria. Ndaj duhet të gjendën forma për të stopuar emigracionin, këtë fenomen gërryes të etnisë shqiptare. Organizmat ndërkombëtare, BE-së, si dhe qendrat e ndihmave në SHBA e gjetkë, duhet të investojnë për të ardhmen e Kosovës. Njerëzit që jetojnë në Kosovë nuk duhet ta humbasin shpresën kaq shpejt. Shpopullimi do të ishte diçka jonatyrale, pasi nuk ka asnjë logjikë dhe është në kundërshtim me ligjet e qytetërimit. Ikja e popullsisë më vitale, sidomos i të rinjve, është një fenomen shumë i rëndë, gati i pakorrigjueshëm, përballë flijimit të madh për të fituar lirinë.
Përballë kësaj situate serbët, sigurisht, përjetojnë një vetëkënaqësi, një ekstazë plot mister. Atë që s’e bënë për një shekull recetat e vjetra asimilacioniste, po e bën voluntarizami i individëve që nuk shohin më lart se hunda e tyre.
Kosova ka nevojë të gjenerojë më shumë shpresë për qytetarët e saj, të zgjidhë problemet e punësimit, të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe t’i japë impuls shpirtit të njerëzve. Mbi të gjitha duhet reformuar Kodi i Kombësisë, themeli i përkatësisë, duke iu bindur besnikërisht asaj arsyeje kombëtare me të cilën krenoheshin paraardhësit tanë.
Ajo që kërkohet sot nga të gjithë faktorët dhe aktorët relevantë në mbarë hapësirën shqiptare është fuqizimi politik i faktorit shqiptar në rajon. Serbët përpiqen të mbajnë verbalisht në fuqi frymën e vjetër të hegjemonisë abstraksioniste, duke provokuar herëpashere përndezjen e pasioneve nacionaliste ndërmjet serbëve të Kosovës dhe popullsisë shqiptare në veri të saj, si dhe mes përfaqësuesve politikë në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, në mënyrë që fryma e destabilizimit të dobësojë themelet e përbashkëta të bashkëjetesës dhe përkatësisë shqiptare dhe konsolidimin e faktorit shqiptar në rajon.
Nga të njëjtat neuroza, që frymëzohen nga glorifikimi i egoizmit “të shenjtë”, vuan tradicionalisht edhe Greqia.
“Naçertnia” dhe “Megali Idea” janë dy programe binjake, me të njëjtën frymë, që janë shndërruar në politika të përhershme zyrtare të Serbisë dhe Greqisë, qysh në vitin 1844, kur u zyrtarizuan si platforma shoviniste, duke synuar krijimin e dy shteteve të mëdha, njëri serb e tjetri grek, pasojat e të cilave ndihen edhe sot e kësaj dite.
Projekti i “Naçertanies” do të ripërtërinte perandorinë mesjetare të Stefan Dushanit, ku në kufijtë e kësaj perandorie do të hynin edhe viset e Shqipërisë së veriut, së bashku me Kosovën, që serbët e quanin “Serbi e vjetër”
Ndërsa, sipas “Magali idea”-as, Greqia quhej trashëgimtare e Bizantit, ku do të bënin pjesë jo vetëm tokat greke, por edhe të gjitha trojet me popullsi ortodokse jogreke të Ballkanit, përfshi edhe tokat shqiptare, ku si kufi herë caktohej si lumi Drin, herë Shkumbini apo Vjosa.
Kjo është arsyeja që edhe sot e kësaj dite autoritetet zyrtare të çdo rangu në Greqi mohojnë kategorikisht çështjen çame, e cila, sipas tyre nuk ekziston. Në rast se do njihej Çamëria, do hidheshin në erë pretendimet “vorio-epirote”, sepse rajoni i Çamërisë është më në jug se kufiri që kanë caktuar për të ashtuquajturin “Vorio-epir”.
Në mbyllje të këtij refleksioni do të thosha se nuk duhet të lejojmë të zbehet entusiazmi i fitoreve tona historike, filozofia e gjenisë sonë kombëtare, në emër të globalizimit apo të postmodernitetit. Duhet të besojmë në mëvetësinë e frymës suaj, që është e vetmja shenjë dalluese dhe tipar qytetërimi.
Braktisja e gjithçkaje që të lidh me atdheun tënd nuk është shenjë e realizimit të lirisë, duke u kthyer në fëmijë të përkëdhelur të shoqërisë së bollëkut.
Mos harroni kurrë: Koha e kryqëzatave serbo-greke nuk ka mbaruar!









