Taylor Swift dhe e ardhmja e Evropës
Rashë në dhjetë të mbrëmjes së të dielës së kaluar dhe u zgjova gjysmë ore nga nisja e së hënës.
Ishte ndeshja finale e futbollit amerikan “Superbowl”, dikur në rininë studentore e kisha luajtur këtë sport dhe më ishte ngjitur një lloj afiniteti – nuk do ta quaja pasion – për të. Sidoqoftë, afiniteti qe i mjaftueshëm për të mbetur pa gjumë deri në orën pesë të mëngjesit për të përcjellë një ndeshje dinamike që për herë të parë zhvillohej në Las Vegas.
Dhe, për herë të parë prejse mbaj mend unë, kishte qoftë edhe një tis të vogël politik në atë që nuk kam dëgjuar të ketë ndonjëherë në sportin amerikan. Pra, po në Evropë dihet se tifozët e Realit kanë një anim bindjesh politike më afër qendrës konservatore spanjolle (apo e kanë pasur të këtillë) dhe ata të Barcelonës më afër nacionalistëve katalonjas. Dhe, po, ka dallim në anime politike mes Interit e Romës dhe, po, ka dallime mes Partizanit e C.Zvezdës në Serbi. Lista do të jetë e gjatë dhe përplot rrëfime se përse fashistët italianë e kanë dashur njërën skuadër, fabrikantët baskë një tjetër dhe komunistët çekosllovakë një të tretë. Por në Amerikë bash nuk ka ndonjë domethënie politike, në cilindo sport, se kush do të fitojë.
Dhe, kështu duhej të ndodhte në finalen e futbollit amerikan mes Kansas City Chiefs dhe San Francisco 49’ers. Po të bëhej ndonjë sondazh mes tifozëve të futbollit amerikan (dhe çdo sporti tjetër) nuk do të hetohej se cilat skuadra kanë preferencë nga demokratët e cilat nga republikanët, e kjo duhej të vlente edhe për skuadrat që hynë në finale.
Por, ja që u paraqit Taylor Swift.
2.
Deri vonë dija për të dashurin e Taylor Swift, Travis Kelce. Ai është njëri prej lojtarëve më të mirë të Kansas City dhe si i tillë qe ikonë popullore e sportit e pastaj u bë pjesë e revistave rozë, rrëfimeve televizive për skenën VIP e të ngjashme, prejse u kuptua se e dashura e tij ishte Taylor Swift.
Njerëzit si puna ime nuk e dinin se kush është Taylor Swift dhe nuk do të interesoheshin as pas lajmit se është e dashura e njërit prej futbollistëve më të mirë amerikanë. Por vitin e kaluar revista “TIME” e shpalli Taylor Swift personin e vitit më 2023. Kështu, ajo që njihja si e dashura e Travis Kelce doli të jetë në të njëjtën listë personalitetesh me Franklin D.Roosevelt, Adolf Hitlerin, J.Stalinin, Papë Gjon Palin II e Françeskun, Jaser Arafatin e Winston Churchillin e Mbretëreshën Elizabetë.
Duket se është një person jashtëzakonisht i suksesshëm që ka akumuluar tashmë një pasuri prej mbi një miliard dollarësh nëpërmjet këngëve, koncerteve dhe ngjarjeve të ngjashme. Hyra t’i dëgjoja disa prej këngëve të saj dhe më duket se do të jetë e vështirë ta mbaj mend ndonjërën prej tyre pas disa ditësh, lëre më pas disa muajsh e vitesh (sa për ilustrim Madonna, ndonëse nuk është pjesë e muzikës që dëgjoj, megjithatë para gati dyzet vjetësh ishte fenomen i ngjashëm muzikor, ende ka këngë që këndohen si hite jave nëpër radiostacione në botë). Por, siç kanë thënë romakët “de gustibus non disputandum est” (për shijet nuk debatohet).
Sidoqoftë, natën e “Superbowl” prania e Taylor Swift në stadium (pas një fluturimi 20 e ca orësh drejt prej koncertit në Tokio) i dha një tis politik ndeshjes mes dy skuadrave, ngase ndonjë javë më herët u përfol në medie serioze se ajo do të dilte në përkrahje publike për kandidaturën e presidentit Biden për zgjedhjet e vitit 2024.
3.
Paralajmërimin se Taylor Swift mund të dilte në përkrahje të presidentit Biden fillimisht e dhanë në medie serioze qarqet e fushatës së presidentit. Pastaj, në një rrebesh reagimesh kundër këngëtares e me teori të ndryshme konspiracioni rreth të dashurit të saj dhe ekipit të futbollit u ngritën qarqet mediatike të afërta me ish-presidentin Trump.
Dhe, kjo më ishte mjaftueshëm për t’u brengosur. Jo aq pse nuk dija kush është Taylor Swift; kjo ka të bëjë me afinitete të tjera kulturore për aq sa edhe distancë moshe me muzikën e atyre që po i mbushin njëzet vjet. Ishte për t’u brengosur sepse Taylor Swift u paralajmërua si njëra prej armëve më të forta të fushatës Biden, një armë që duhet të mobilizojë gjeneratën e votuesve të parë apo të votuesve të rinj. Dhe ishte brengosëse sepse fushata Trump e konsideroi aq të rrezikshëm paralajmërimin e përfshirjes së Taylor Swift në fushatë, saqë filloi një fushatë denigrimi kundër kësaj mundësie, madje edhe vetë asaj.
Nëse Taylor Swift është pesha e cila do të vendosë tasin në favor të njërit apo tjetrit kandidat presidencial, kjo përshkruan gjendjen e demokracisë në Amerikë. Dhe, kur ky person është personalitet i vitit që ka peshë të njëjtë për civilizimin si Charles de Gaulle apo Nelson Mandela (që të dy në “TIME”) atëherë kjo mund të përshkruajë kriteret e rëna të revistës ose/dhe njëkohësisht përshkruan edhe kohën e degraduar në të cilën jetojmë.
4.
Presidenti Biden u përshkrua në një raport zyrtar investigativ (lidhur me dokumentet e harruara zyrtare në bodrum të shtëpisë) si “një burrë i moshuar me kujtesë të dobët”, një përshkrim me të cilin presidenti do të duhej të luftonte gjatë tërë fushatës parazgjedhore. Ish-presidenti Trump, në rrjedhën e përditshme të prodhimit të fjalive me pak pjekuri mendore, shpjegoi se si do ta ftonte Rusinë ta sulmonte cilindo shtet anëtar të NATO-s që nuk paguante buxhetin prej 2 për qind të bruto-prodhimit kombëtar.
Presidenti Biden është sot presidenti më i moshuar në detyrë që ka pasur Amerika. Po t’i fitonte zgjedhjet, Trumpi do të ishte presidenti më i moshuar në fund të mandatit të tij. Në këtë garë dëshmie se njëri kandidat nuk është prekur nga humbja e aftësive mendore nga mosha e tjetri kandidat është shumë më serioz dhe i mençur se ç’mund të kuptohet prej fjalëve të shqiptuara të tij, lajmi se Taylor Swift do të çojë kandarin në njërën anë, më duket se tejkalon interpretimin e rëndomtë evropian që i sheh këto si ekstravaganca amerikane. Po të jetë Taylor Swift ajo që çon votuesit e rinj te presidenti Biden, kjo çështje nuk do të ketë lidhje vetëm me zgjimin e rinisë amerikane a forcimin e votës liberale. Kjo ka të bëjë në thelb, ashtu siç qëndrojnë sot gjërat, me sigurinë evropiane, sepse SHBA-ja, një demokraci e parashikueshme çfarë e njohim nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, është fuqia më e madhe evropiane. Këtë e kanë zbuluar pas rënies së Murit të Berlinit edhe evropianët numerikisht më të vegjël si shqiptarët, që kanë madje një relacion të veçantë me Amerikën.
Në shtatë muajt e ardhshëm Taylor Swift mund të zëvendësojë tifozërinë e saj për ekipin e Kansas City, për ekipin Biden. Në një ndeshje të mundimshme, përplot nervash, Kansas City fitoi tri sekonda para përfundimit të lojës shtesë. Ndoshta është paralajmërim i mirë metaforik për ndeshjen presidenciale. Dhe, për më tepër, për pasigurinë që ndien kontinenti evropian në kësi konstelacioni gjërash.