Sekretari amerikan i shtetit zoti Blinken po zhvillon një vizitë 8 orëshe në Tiranë. Pas Presidentit Begaj dhe ndalesës tek Piramida, Blinken u drejtua për në Kryeministri. Kreu i qeverisë kishte “veshur” sallën kryesore me fotot e vizitave të të gjithë sekretarëve amerikanë të shtetit në Tiranë.
Në 33 vjet demokraci, Shqipëria ka pritur një President Amerikan dhe 5 Sekretarë Shtetit. Për të gjitha vizitat, ka pasur nga një arsye specifike. I pari zyrtar kaq i lartë i SHBA-ve, që preku tokën tonë ishte James Baker në vitin 1991.
Në vitin 2000, Madaleine Albright erdhi në Shqipëri, pak pas Luftës së Kosovës. Më tej, Fatos Nano priti në vitin 2003 Sekretarin e Shtetit Colin Poëell. Ardhja e tij u shoqërua me firmosjen e Kartës së Adriatikut, ku Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia hynë në paradhomën e NATO-s.
Në vitin 2012 në Parlamentin e Shqipërisë mbajti një fjalë Sekretarja tjetër e Shtetit, Hillary Clinton. Vendi ynë kishte pranuar të strehonte me kërkesë të Amerikës, muxhahedinët iranianë, ndërsa vetë SHBA-të e kishin të qartë se cfarë prisnin tjetër nga Shqipëria: luftë me krimin dhe korrupsionin.
I fundit sekretar shtetit u prit nga Edi Rama në vitin 2016. Jonhn Kerry rikonfirmoi se Uashingtoni e donte Ballkanin Perëndimor jashtë influencave të tjera, dhe vizita e tij përkoi edhe me strehimin e 2500 opozitarëve të tjerë të iranit, që u pranuan në Manzë, për të shpëtuar nga Teherani zyrtar. Antony Blinken është i 6-ti Sekretar Shtetit në Tiranë.