Pa Lulzim Bashën, Shpëtim Idrizin dhe Dashamir Shehin, të gjitha partitë e tjera opozitare u mblodhën sot duke formuar federatën e djathtë. Prova e parë është protesta e 20 Shkurtit. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se kjo federatë ka dy objektiva.
“Besoj se biem të gjitha dakord që kjo është një ditë e mirë për opozitën. Pas bashkimit të PD-së sot kemi bashkimin edhe të gjitha forcave që janë deklaruar në opozitë. Të gjitha partive duke formalizuar federatën e opozitës së bashkuar.
Në dy vite opozita e përçarë ka qenë dhurata më e mirë për qeverinë e Edi Ramës dhe cilido që është i përgjegjshëm në raport me atë që presin qytetarët, sot ka marrë një mesazh të mirë, që jemi bërë të gjithë bashkë për të kundërshtuar, së pari deri në rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës dhe së dyti për t’u bërë një alternativë serioze për qytetarët” tha ai.
Po Basha? “Secili është i lirë që t’i bashkohet ose jo federatës opozitare. Ka qenë iniciativë e partive aleate që është mbështetur nga PD. Ka qenë zoti Duka që ka kontaktuar me cilindo që ka gjykuar se është në opozitë. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të qenë më të fortë për të koordinuar të gjithë aksionin tonë politik” tha Bardhi.
Kishte një koment edhe për shmangien që Blinken i bëri opozitës. “Nuk është cështje kohe por mesazhe që ka dashur të japë sekretari amerikan dhe në varësi të mesazheve është ndërtuar axhenda. Nuk shikoj asnjë shqetësim në këtë drejtim. E rëndësishme për opozitën është ruajtja e aleancës me SHBA-në dhe partnerët e tjerë strategjikë” tha ai.