Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të shtunën, më 17 shkurt, kanë firmosur deklaratën për bashkimin opozitar shqiptar, të cilin e vlerësojnë si “hap të rëndësishëm drejt unifikimit të partive shqiptare” në këtë shtet.
Koalicioni opozitar do të mbajë emrin “VLEN”, ndërsa deri tani quhej Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).
“Bashkimi po hedh themelet e një epoke të re mes partive shqiptare në vend, duke shfaqur një unitet të përbashkët për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen e shqiptarëve në vend”, thuhet në deklaratën e nënshkruar në Shkup.
Deklarata është nënshkruar edhe nga Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit mbështet opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Lëvizja Vetëvendosja, që drejtohet nga Kurti, do të ketë anëtarë të saj në listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj.
Pjesë e opozitës janë partitë që deri tani përbënin Lidhjen Evropiane për Ndryshim: Lëvizja Demokratike, Alternativa, Lëvizja Besa. Tani pjesë e tyre është edhe Aleanca për Shqiptarët që drejtohet nga Arben Taravari./REL