Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se hedhjet e mbeturinave në Parkun e Llogarasë është një akt barbar kundër mjedisit dhe turizmit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla ka publikuar edhe një video, ndërsa thotë se janë proceduar tre persona.
Ministri kërkon ndihmën e qytetarëve për të denoncuar këto raste dhe siç thotë ai ‘t’i tregojmë shkelësve se penalitetet janë të rënda’.
“Policia e Shtetit po kryen detyrat e veta për ta mbrojtur mjedisin. Hedhja e mbetjeve si në videon më poshtë në Parkun e Llogarasë është një akt barbar kundër mjedisit dhe turizmit. Policia e Shtetit ka proceduar penalisht tre persona, administratorë të njësive tregtare të zonë. Ju lutem na ndihmoni t’i denoncojmë këto raste dhe t’i tregojmë shkelësve se penalitetet janë të rënda”, shkruam ministri Balla.