Dje një kontingjent i ri turk i KFOR-it ka mbërritur në Kosovë. KFOR njofton se ky kontingjent do të zëvendësojë një njësi të trupave italiane të dislokuara më parë, si pjesë e Forcave Rezervë të caktuar për KFOR-in.
“Dislokimi i kontingjentit turk pasqyron përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar ofrimin e një mjedisi të sigurt për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Është gjithashtu një demonstrim tjetër konkret i angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor“, thuhet në njoftim.