Parlamenti Evropian (PE) ka thënë në një rezolutë që e miratoi të enjten se besueshmëria e Bashkimit Evropian (BE) dëmtohet nga mungesa e suksesit në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në rezolutën e miratuar për rezultatet e politikës së jashtme dhe të sigurisë BE-së, përmes së cilit flet për nevojën e rritjes së ndikimit të BE-së në botë dhe për një qasje më të vendosur edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, PE-ja gjithashtu i paralajmëron Kosovën dhe Serbinë edhe për pasoja nëse mungon zbatimi i marrëveshjeve të dialogut.
Por, PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim.
“Ftojmë BE-në që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në tekstin e këtij raporti.
Ky është një raport mjaft që përfshin temat nga raportet e BE-së me Shtetet e Bashkuara, bashkëpunimi me NATO-n, forcimi i kapaciteteve evropiane të mbrojtjes, lufta kundër fushatave të dezinformimit, e deri tek situate në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket Kosovës në këtë raport “dënohet sulmi terrorist ndaj zyrtarëve policorë me 24 shtatorë në Banjskë të Republikës së Kosovës, si dhe provokimet e tjera”.
Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës./REL
Lexoni KËTU shkrimin e plotë