Pak ditë më parë baba e bir humbën jetën si pasojë e një shpërthimi në Lushnje. Shtatë të tjerë u plagosën mes tyre deputeti Bujar Çela. Punimet po kryheshin në biznesin e tij. Familja e Roland dhe Lidio Hoxhës do të marrin ndihmë financiare.
Këshilli bashkiak i Lushnjës miratoi ndihmën e menjëhershme për familjen e viktimave. Shuma ishte parashikuar 300.000 lekë, por nga anëtarët e Këshillit u propozua që kjo vlerë të arrinte në 500.000 lekë. Kryetarja e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, u shpreh se është ngritur dhe një grup pune për evidentimin e të gjitha dëmeve që shkaktoi ky shpërthim në banesa dhe biznese.
Por pyetja që nuk ka marrë ende përgjigje është se kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë shpërthim që mori jetën e dy personave dhe nëse familja e viktimave do të dëmshpërblehet. Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve zhvilluam një bisedë me ekspertin e punësimit, Erion Muça, që beri një analizë të plotë të asaj që ndodhi dhe asaj që mund të vulosë këtë dosje; “faji i mbetet viktimës” tha ai.