Gjykata e Lartë ka marrë vendimin në lidhje me rekursin e bërë nga Rajmonda Nika, e veja e Aleks Nikës i cili mbeti i vrarë më 21 janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjykata e Lartë vendos që hetimet për 21 janarin të zhvillohen nga SPAK. Avokati Idajet Beqiri tha pas vendimit se tani SPAK-u duhet të hetojë rolin e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe zinxhirit komandues të Gardës.
“Kemi paraqitur një kallëzim penal për persona konkretë, të cilëve iu atribuohet vepra penale. Ata janë subjekte hetimi të Prokurorisë së Posaçme. Ne nuk prisnim nga SPAK një shkresë, si vendim moskompetencë. Organi i akuzës nuk operon me shkresa, por me vendime. 21 janari është një krim i dukshëm.
Ju kemi paraqitur si provë edhe një vendim të Strasburgut, ku flitet për krim shtetëror. SPAK me këtë vendimmarrje ka krijuar një precedent të rrezikshëm. Kërkojmë të na pranohet rekursi, të prishen vendimet e GJKKO dhe Apelit dhe të urdhërohet SPAK të regjistrojë çështjen. Prokuroria e Tiranës e bëri punën e vet, hetoi disa persona. Por Prokuroria e Tiranës nuk e heton dot ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Brendshëm.
Gjykata e Lartë vendosi që të bëhen edhe hetime. SPAK është detyruar që të bëjë hetime për këtë çështje deri në fund. SPAK do të duhet që të tërheqë dosjen e “21 Janarit” nga Gjykata e Tiranës që e ka hetuar më parë këtë çështje” tha ai.
Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.