Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Berishës për heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” e vendosur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për dosjen ‘Partizani’.
Pas përfundimit të seancës avokati i Berishës, Genc Gjokutaj u ndal në një deklaratë për mediat ku u shpreh se prokurorët dhe gjykata nuk dinë të thonë se ku qëndron korrupsioni i Berishës dhe dhëndrit të tij Malltezi.
“Absolutisht që gjykata është një komisariat politik.
Kjo ishte pjesë dhe e vendimit të sotëm i cili sot nga forma dhe përmbajtja ka qenë haptazi në kundërshtim me ligjin. Prokurorët sot duhej të jepnin sqarime mbi pyetjet që ne kemi bërë. Ku qëndron korrupsioni i zotit Berisha? Dhe prokurori e tha haptazi unë nuk ju jap asnjë shpjegim” u shpreh Gjokutaj.
Avoakti gjithashtu u pyet se kur do të përfundojë hetimi ndaj Berishës i cili zgjat tashmë prej 3 vitesh. Për këtë Gjokutaj u shpreh se as prokurorët vet nuk e dinë pasi ata presin fjalën e Edi Ramës, pasi sipas tij është ai që e vendos këtë çështje.
“Unë nuk e di sesi kjo gjykatë që ka dhënë masën e arrestit për Berishën nuk i bëri një pyetje prokurorëve se ku qëndron korrupsioni. Sepse është detyrë e prokurorit të shpjegoj se si është ngritur çështja se kush i tha kujt dhe çfarë.
Se kur do përfundojë procesi as prokurorët nuk e dinë vet se pritet fjala e Edi Ramës. Ata dinë vetëm që duhet të vazhdojnë hetimin.
Kësaj radhe ishim të habitur pasi kanë pyetur persona që nuk kanë lidhje me ngjarjen dhe janë sjellë si dëshmitarë me peshë. Kjo s’është më gjykatë. Atë kërkesë do t’ja qepin në pallto” u shpreh avokati Gjokutaj.