I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 13 mars është takuar me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë, me të cilët ka biseduar për problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb.
Siç njoftoi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, ata i kanë thënë Escobarit se vendimet e Qeverisë së Kosovës “kërcënojnë të drejtat themelore të njeriut” për pjesëtarët e komunitetit serb.
Në këtë kontekst, kjo parti ka përmendur rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb, ndalimin e importit të mallrave nga Serbia dhe ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në katër komuna në veri të Kosovës majin e vitit të kaluar, pasi serbët kishin bojkotuar zgjedhjet lokale të mbajtura atë vit.
Ndërkaq, Branimir Stojanoviq nga Lëvizja Popullore Serbe tha se është “inkurajuar” nga qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj vendimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës dhe se ka marrë “garanci nga Escobari se gjërat do të ndryshojnë në favor të komunitetit serb”.
“Ne presim hapa edhe më seriozë, para së gjithash që situata të qetësohet, që më në fund popullit tonë t’i sigurohen kushte minimale për një jetë normale”, tha Stojanoviq pas takimit me Escobarin për radion lokale Kim./REL