Kryeministri Edi Rama ditën e sotme mblodhi në Gjirin e Lalzit asamblenë socialiste me qëllim rienergjizimin e partisë një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ai njoftoi se janë afruar 29 mijë anëtarë të rinj në PS dhe vendosi objektiv që deri në Qershor numri të shkojë 50 mijë. Kishte edhe një objektiv të dytë për të hapur partinë për të djathtët.
“Deri tani kemi 29225 anëtarësime të reja. Le të mos ndalemi këtu por të vendosim dy objektiva të reja 50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresin e Qershorit të këtij viti, dmth edhe 20 mijë e pak që u shtohen këtyre që janë anëtarësuar deri tani.
Të gjithë e keni parë sa shumë gatishmëri dhe me sa shumë lehtësi janë tejkaluar objektivat vetëm për një arsye të thjeshtë sepse nuk kemi pritur që njerëzit të vijnë tek ne por kemi shkuar ne tek ata.
Dhe e dyta, rishikimi i përbërjes së cdo organizate socialiste me qëllim harmonizimin e përbërjes me profilin politik dhe social që mbulon, burra e gra të cdo moshe, djem e vajza duke hapur partinë për të kaluar ndasinë majtas apo djathtas, kundërshtarët tanë të dërrmuar politikisht. Duam një parti me gjak të ri” tha Rama.