Vazhdon debati për manastirin e Deçanit në Kosovë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se vendimi për pronat ka qenë kompromisi më i dhimbshëm i kësaj qeverie. Sipas tij, zbatimi i vendimit u kthye në formë kompromisi në janar të këtij viti, për të siguruar vendin në Këshillin e Evropës.
“Manastiri i Deçanit, për nëntë vite na kanë thënë bëjeni se e keni obligim. Tash për herë të parë, prej janarit nuk është më bëjeni se e keni obligim, por bëjeni se mund të arrini një arritje shumë të madhe për Kosovën, që është Këshilli i Evropës, që i bie e ka formën e kompromisit e nuk mund të bëhet vetëm si diçka që Kosova e ka obligim sepse është vendim i dhimbshëm ky. Ky është vendimi më i dhimbshëm që Kosova e ka marrë”, tha Konjufca në Kanal 10.