Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për ekzekutimin e ish-policit Gentjan Bejtja, 5 ditë më parë në Fushë Krujë.
Në pranga ka rënë 30-vjeçari Edison Haxhiu, si dhe një person me 3 emra, 41-vjeçari Ilir Beqaraj allias, Brahimi, allias Mançellari.
Gjithashtu policia ka zbuluar dhe mjetin me të cilin u arratis grupi i dyshuar pasi ekzekutoi ish-policin në shtëpinë e tij. Një Golf i zi dhe pa targa është kapur nga kamerat e sigurisë dhe është pikërisht ndjekja e tij që coi në arrestimin e dy të dushuarve.
Makina rezultoi se ishte në emër të Edison Haxhiut, ky i fundit po ndiqej nga policia ku u kap në një lavazh. Haxhiu kishte çuar mjetin e tij për ta larë kur në atë moment është kapur në flagrancë nga forcat e policisë.
Të dy këta persona rezultojnë të dënuar në të kaluarën për vepra të tjera kriminale ndërkohë informacionet e fundit bëjnë me dije se asnjë prej tyre nuk është treguar bashkëpunues me hetuesit.
Ata nuk kanë pranuar të japin detaje duke kyçur gojën ndaj të gjitha pyetjeve që lidheshin me anëtarët e tjerë të grupit që pushkatuan Gentjan Bejtjën.