Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me kampet e refugjatëve që do të vendosen në Shqipëri sipas marrëveshjes Rama-Meloni.
Mediat italiane kanë publikuar disa informacione për mënyrën se si këto kampe do të organizohen.
Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit.
Dy të tjerat do të vendosen në Gjadër.
Një qendër do t’i kushtohet konstatimit të parakushteve për njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare dhe do të jetë në gjendje të akomodojë maksimumi 880 persona, ndërsa struktura e dytë është një qendër paraburgimi për riatdhesim me një kapacitet maksimal prej 144 personash.
Objekti në portin e Shëngjinit do të ketë një klinikë mjekësore të dedikuar për kujdesin shëndetësor, një dhomë për vizitat ambulatore, një dhomë me tre shtretër dhe një dhomë izolimi.
Qeveria italiane është treguar specifike edhe në lidhje me veshjet që do t’u ofrohen refugjatëve.
Parashikohet se atyre do t’u jepen pantallona, një këmishë, një bluzë, një palë pizhame, tre pantallona të shkurtra dhe tre palë çorape. Pritet vetëm një ndryshim mes veshjeve të ofruara për periudhën e dimrit dhe atë të verës.Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri, emigrantët nuk do të mund të dalin nga qendrat.