-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Pesë historianë gjermanë kundër kancelarit Scholz

Kryesoret

Historianë eminentë gjermanë po e akuzojnë rëndë Partinë Socialdemokrate (SPD) të kancelarit Olaf Scholz. Sipas tyre, me politikën e paqartë dhe shpesh të bazuar në të pavërteta, SPD është duke e trimëruar Rusinë në luftë kundër Ukrainës. Kjo është njëra nga kritikat më të ashpra që i është bërë kësaj partie nga intelektualët gjermanë. I frustruar me politikën e SPD-së është edhe politikani prominent socialdemokrat Michael Roth, një kritik i Rusisë (dhe i Serbisë autoritare). Roth ka njoftuar se pas 26 vitesh do të tërhiqet nga politika.

Pesë historianë gjermanë, secili më prominent se tjetri, i janë drejtuar Partisë Socialdemokrate (SPD) të kancelarit Olaf Scholz me një letër të ashpër. Mediat gjermane e quajnë “Brandbrief”: letër e zjarrtë! Nënshkruesi më i njohur i letrës është Heinrich August Winkler (85-vjeçar) nga Universiteti Humboldt. Winkler është autor i veprave të mëdha mbi historinë gjermane të shekullit të 20-të.

Autorët e letrës shprehin pakënaqësi me mungesën e qëndrimeve të qarta dhe mungesën e solidaritetit të padyshimtë të Gjermanisë ndaj Ukrainës.

Meqë bëhet fjalë për një çështje të rëndësishme të sigurisë, historianët kanë vendosur t’i drejtohen kryesisë së SPD-së me apelin që të qartësojë pozicionin dhe ta sqarojë atë publikisht. Sa i përket refuzimit të Gjermanisë për të furnizuar Ukrainën me armë efikase (si raketat Taurus), autorët thonë se argumentet që përdoren nga kancelari dhe funksionarë të tjerë të partisë janë shpesh arbitrare, shkaktojnë huti dhe jo rrallë janë faktikisht të rrejshme.

Historianët akuzojnë socialdemokratët se nuk po koordinohen me aleatët dhe çdo mungesë uniteti trimëron Putinin në luftën e tij kundër Ukrainës.
Pastaj historianët shprehin shqetësimin e tyre që socialdemokratëve gjermanë po u mungon gatishmëria për t’u ballafaquar me gabimet e tyre në politikën ndaj Rusisë në dekadat e fundit. Këtu historianët aludojnë në ish-kancelarin Gerhard Schröder dhe presidentin e tanishëm Frank Walter Steinmeier si krijues të varësisë së Gjermanisë nga gazi rus.

Historianët theksojnë se SPD ende po e mban lart flamurin e romantizimit jokritik të Rusisë siç e ka bërë Egon Bahr. Bahr ka qenë një nga figurat e rëndësishme socialdemokrate të kohës së kancelarit Willy Brandt. Bahr ishte kundërshtar i intervenimit të NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Historianët qortojnë SPD-në se nuk po i merr parasysh mendimet shkencore të ekspertëve të Europës Lindore, madje edhe më keq: po tenton t’i diskualifikojë ato dhe kësisoj po e shtron rrugën për një kulturë të rrezikshme dezinformimi. Krahas profesorit Winkler, letrën e kanë nënshkruar historianët Jan Claas Behrends nga Universiteti i Europës Viadrina në Frankfurt (Oder), Gabriele Lingelbach dhe Martina Winkler nga Universiteti Christian Albrecht në Kiel si dhe Dirk Schumann nga Universiteti Georg August në Göttingen.

Pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, profesori Winkler pati kundërshtuar konceptin e SPD-së se Rusia mund të ndryshohet duke thelluar bashkëpunimin me të, ta zëmë në fushën e energjisë. Në vitin 2016 Winkler botoi një artikull në revistën e partisë socialdemokrate, ku theksoi: “SPD duhet ta kuptojë: Rusia dëshiron revidimin e kufijve në Europë”. Winklerit atëbotë iu kundërpërgjigj funksionari i lartë i SPD-së Rolf Mützenich:

“Politika e shtendosjes sot është më e rëndësihsme se kurrë”. 6 vite më vonë, më 2022, Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës. I njëjti Mützenich para disa ditësh kërkoi që lufta në Ukrainë “të ngrihet”. Historianët mendojnë se kjo domethënë përfundim i luftës në favor të sulmuesit. Putini, sipas tyre, do ta ndalë luftën vetëm kur të kundërshtohet me forcën e nevojshme.

Nuk janë vetëm historianët të zhgënjyer me SPD-në. Këtë javë politikani prominent socialdemokrat Michael Roth njoftoi se pas 26 vitesh do të tërhiqet nga Bundestagu, parlamenti gjerman. Roth angazhohet për armatosjen e Ukrainës, po ashtu është kritik i ashpër i presidentit të Serbisë. Roth e krahasoi atmosferën në grupin parlamentar të SPD-së me frigoriferin. Deputetë si Roth theksojnë se çdo zmbrapsje e trimëron Vlladimir Putinin, ndërsa krahu tepër majtist i parlamentarëve të SPD-së angazhohen për zgjidhje diplomatike dhe shpresojnë se Kina mund të ndihmojë në rritjen e presionit kundër Rusisë./ Koha

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit