Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç , ka thënë të premten duke folur për dinarin e ndaluar në Kosovë se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” bankës Raiffeisen apo ndonjë banke tjetër, bankën serbe, Kursimora e Postës.
Një një fjalim televiziv para popullit në Beograd, ai nuk dha hollësi të tjera rreth kësaj, por nguli këmbë se Serbia “nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit” nga përdorimi në Kosovë.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Serbët e Kosovës që nga paslufta kanë marrë pagesa në dinarë nga shteti serb edhe përmes degës së Kursimorës së Postës në Kosovë, e cila është njëra nga bankat më të mëdha serbe.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan dy herë në Bruksel këtë muaj për të diskutuar për çështjen e dinarit, por dallimet mes tyre vazhdojnë të jenë të mëdha dhe Bashkimi Evropian njoftoi për një takim të ri në prill.
Kryenegociatori serb Petar Petkoviq tha këtë javë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.
Vuçiç paralajmëroi se Serbia do të marrë “vendim serioz” për Këshillin e Evropës, nëse kjo organizatë evropiane e pranon Kosovën si anëtare./REL